E Ngarkuara me Punë në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati ka deklaruar se heqja e tarifave për produktet amerikane në Kosovë do të forcojë marrëdhëniet ekonomike mes ShBA-së dhe Kosovës.
Ajo tha se Kosova, me këtë vendim ka përmirësuar qasjen ndaj produkteve amerikane dhe i ka bërë më të arritshme për qytetarët e saj.
Kosova muajin e kaluar ka marrë vendim për heqjen e taksës 10 për qind për produktet amerikane.
Diplomatja amerikane në Kosovë tha se ky vendim ka hapur mundësi të reja për investim nga bizneset amerikane në Kosovë, si dhe forcim të tregtisë dypalëshe.
“Kjo është një arritje e madhe dhe një pikë kthese në partneritetin tonë. Sot po festojmë vendimin e Kosovës për të eliminuar tarifat doganore mbi produktet amerikane. Ky vendim pasqyron vizionin tonë të përbashkët për më shumë tregti, investime dhe mirëqenie mes dy kombeve tona. Në një kohë kur shpesh ka mospajtime mbi politika, vizione për të ardhmen dhe rrugët se si të ecim përpara, është me të vërtetë mbresëlënëse që si në Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe në Kosovë, ekziston një pajtim i plotë se shpresa më e madhe për prosperitetin e ardhshëm qëndron tek forcimi i marrëdhënieve ekonomike mes nesh”.
“Veprime si ky vendim e thellojnë dhe e forcojnë kornizën tonë të tregtisë dhe investimeve. Ky nuk është thjesht një ndryshim politikash – është një deklaratë e përkushtimit gjithnjë e më të madh të Kosovës ndaj partneritetit me Shtetet e Bashkuara dhe ndaj krijimit të mundësive të reja për bizneset dhe konsumatorët. Duke hequr tarifat, Kosova ka përmirësuar qasjen ndaj produkteve amerikane me cilësi të lartë, duke i bërë ato më të arritshme për qytetarët e saj, si dhe ka hapur mundësi të reja si për bizneset amerikane ashtu edhe për ato kosovare. Ky vendim është fitimprurës për të dyja vendet dhe do të forcojë tregtinë dypalëshe, duke nxitur rritjen ekonomike”, tha ajo, raporton Kosovapress.