Mijëra policë të armatosur rëndë po patrullojnë rrugët e Sidneit ndërsa njerëzit festojnë Vitin e Ri – një pamje e rrallë dhe tronditëse në Australi, pas të shtënave masive në plazhin Bondi.
Disa oficerë janë autorizuar të mbajnë armë të nivelit të lartë si pjesë e masave të shtuara të sigurisë. Sulmi i 14 dhjetorit kishte në shënjestër komunitetin hebre të Australisë dhe vrau 15 persona gjatë një festivali të Hanukës, raporton BBC .
Policia e Uellsit të Ri Jugor (NSW) tha se më shumë se 2.500 oficerë do të jenë në detyrë në të gjithë qytetin.
Festat zyrtare të Natës së Vitit të Ri u ndërprenë në orën 23:00 sipas kohës lokale (12:00 GMT) për një minutë heshtje në nderim të viktimave të sulmit, ndërsa Ura e Portit të Sidneit u ndriçua me dritë të bardhë për të simbolizuar paqen.
Fotografi nga Porti i Sidneit – ku çdo vit mblidhen turma të mëdha për të parë fishekzjarrët e famshëm të qytetit – tregojnë oficerë policie që patrullojnë mes turmave me armë të gjata.
Në prag të eventit, kryeministri i shtetit, Chris Minns, paralajmëroi se disa njerëz mund ta gjenin pamjen “shqetësuese”, me policë që “mbajnë armë zjarri dhe pajisje që nuk i keni parë më parë”.
“Por nuk kërkoj ndjesë për këtë. Ne duam që njerëzit të jenë të sigurt në komunitetin tonë,” shtoi ai.
Turistët britanikë Joe dhe Lucy thanë se prania e shtuar e policisë i bëri të ndiheshin më të qetë.
Çifti – që e kishte planifikuar udhëtimin në Australi për t’u përputhur me fishekzjarrët – ndodhej në Melburn kur ndodhi sulmi.
