Policia e Kosovës dhe KFOR-i kanë zhvilluar një takim pune në Prizren, ku kanë diskutuar për situatën e sigurisë, gatishmërinë gjatë muajve të verës dhe vazhdimin e bashkëpunimit për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.
Policia e Kosovës ka njoftuar se më 15 korrik 2026 është zhvilluar një takim pune ndërmjet drejtorit rajonal të Policisë në Prizren, kolonel Faton Alija, dhe komandantit të Komandës Rajonale Perëndimore të KFOR-it, kolonel Federico Mora, së bashku me stafin e tij.
Gjatë takimit, kolonel Alija e ka njoftuar komandantin Mora se situata e sigurisë në rajonin e Prizrenit është kryesisht e qetë. Ai ka prezantuar edhe rezultatet e punës së Policisë së Kosovës gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026.
Sipas njoftimit, Policia ka ngritur nivelin e gatishmërisë dhe ka intensifikuar angazhimin gjatë muajve të verës, për shkak të rritjes së lëvizjes së qytetarëve, ardhjes së bashkatdhetarëve nga diaspora dhe shtimit të turistëve të huaj.




