Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikim i dokumenteve”, pas një hetimi disa mujor të zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.
Sipas njoftimit, më 20.05.2026, në kuadër të rastit “Pronat në Prizren”, janë realizuar urdhra për kontroll dhe sekuestrim të përkohshëm në rajonin e Prishtinës dhe Mitrovicës, të lëshuara nga Gjykata Themelore në Prizren – Departamenti për Krime të Rënda.
Hetimet kanë zbuluar dyshime se dy të dyshuar meshkuj kosovarë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë falsifikuar dokumente dhe një letërnjoftim të Serbisë në emër të një personi të vdekur prej dekadash, duke e paraqitur si person tjetër për të realizuar marrëveshje ndërmjetësimi dhe më pas për të ndikuar në Drejtorinë e Gjeodezisë dhe Kadastrit në Prizren.
