Plani operacional i Policisë së Kosovës, i paraparë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, i cili kishte për qëllim ofrimin e sigurisë, mbajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve u realizua me sukses në tërë Kosovën.
Kështu ka njoftuar policia me anë të një njoftimi për media.
“Angazhimi dhe zbatimi i planit policor, bashkëpunimi dhe koordinimi ndërinstitucional ka ndikuar në mënyrë pozitive që i tërë procesi zgjedhor të kalojë i qetë dhe pa incidente madhore që do të kishin penguar apo cenuar procesin zgjedhor, andaj vlerësuar në aspektin e sigurisë, procesi zgjedhor ka kaluar i qetë dhe pa incidente serioze”.
“Siç është bërë e ditur përmes njoftimeve zyrtare, një ndër qëllimet e planit policor, ka qenë inicimi dhe procedimi i çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrja e të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet e vendit, që sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike”.
Policia e Kosovës njofton poashtu se në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit, njofton se ka iniciuar dy raste “Cenimi i fshehtësisë së votimit”, njëri në fshatin Bare – Mitrovicë Jugu dhe tjetri në Kllokot – DRP Gjilan, përderisa rastet mbi dyshimet për “fotografim të votës”, me autorizim të prokurorëve kompetent kanë mbetur si ‘shënim zyrtar’ njëmbëdhjetë (11) raste/informata.
