Policia e Kosovës, ka njoftuar se pas pranimit të informacioneve se më datën 15 tetor 2026 tre zyrtarë policorë të Stacionit Policor Jugu në Prishtinë, dyshohet se janë përfshirë në një rast penal të ngacmimit dhe kontrollit të kundërligjshëm, ka trajtuar vetë informacionet fillestare, dhe sipas detyrës zyrtare ka njoftuar Inspektoratin Policor të Kosovës.
Policia e Kosovës, menjëherë pas pranimit dhe trajtimit të informacioneve, ka njoftuar zyrtarët kompetent të Inspektoratit Policor të Kosovës, me të cilët janë koordinuar për sigurimin dhe dokumentimin e të gjitha provave relevante lidhur me rastin.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi institucional, Policia e Kosovës ka siguruar dhe i ka dorëzuar Inspektoratit Policor të Kosovës provat dhe informacionet e kërkuara për trajtimin e mëtejmë të rastit.
Policia e Kosovës po ashtu ka udhëzuar palën ankuese që të paraqitet në Inspektoratin Policor të Kosovës, për të dhënë informacionet/ deklaratën para zyrtarëve të njësisë së hetimeve të këtij institucioni.




