Ndonëse jeton vetëm pak metra nga oborri i shkollës, Gjorgji i vogël, fëmijë i etnisë serbe, është larguar nga procesi mësimor nga ana e administratës së shkollës “Sveti Sava”. Nëna e Gjorgjit, Ana Trajkoviq, rrëfen se e gjithë “hakmarrja” filloi kur Qeveria e Kosovës, përmes Ministrisë për Kthim, i ndërtoi shtëpinë në fshatin Shushicë të Graçanicës.
Shtëpia e Ana Trajkoviqit, e përuruar rishtas nga buxheti i Qeverisë së Kosovës, është bërë mollë sherri për Gjorgjin. Që në hyrje, përveç buzëqeshjes, Gjorgji gostit ekipin e Gazetës Politika me sheqerka, që i shijojmë së bashku.
Ulemi në divanin e shtëpisë dhe përgatitemi të dëgjojmë rrëfimin e Anës, e cila insiston që afër saj e para kamerës të qëndrojë edhe Gjorgji, si dëshmi e diskriminimit nga shkolla.
Frika e Anës, Gjorgji i ngujuar në shtëpi
Që dy muaj e gjysmë, Gjorgji, që duket se ka një talent në artet figurative, të gjitha vizatimet po i kryen në hapësirën e vogël të shtëpisë. Këto pak metra katrore janë kthyer në shtëpi-shkollë dhe “atelie” personale e shtatëvjecarit, sepse Drejtoria e “Sveti Savës” nuk po e lejon të vazhdojë mësimet në shkollë.
Ana, nëna vetëushqyese e Gjorgjit, akuzon shkollën për diskriminim, që dyshon se nisi si hakmarrje për shtëpinë e ndërtuar nga Qeveria e Kosovës.
“Fëmijën që e kam në klasë të dytë, e kanë larguar nga shkolla drejtori Milan Demitrijeviq, psikologia Mirjana Cirkoviq, pedagogia Gordana Staviq dhe mësuesi Dragan Jovanoviq…Ata nuk e duan në shkollë prej momentit kur Ministria për Kthim ma ndërtoi shtëpinë. Dhe prej atij momenti ka filluar urrejtja ndaj meje, e vecmas ndaj fëmijës” – nis rrëfimin e saj Trajkoviq.
Trajkoviq hedh akuza të rënda ndaj administratës për maltretim të fëmijës së saj.
“Që dy muaj jam në kontest me shkollën, sepse ma maltretojnë fëmijën, e kapin për qafe, ia ngrehin veshin. Me një fjalë nuk e pranojnë në shkollë” – thotë Trajkoviq, transmeton Gazeta Politika, e cila tregon se tashmë ka hapur zyrtarisht rast në Policinë e Kosovës, ndonëse ankohet për mospërkrahje nga ky institucion.
Trajkoviq thotë se është e frikësuar për jetën e djalit dhe babait të saj të moshuar, të cilët e dëgjojnë me kujdes rrëfimin e Anës, ndonëse Gjorgji duket se kupton pak nga ajo që po ndodh përreth tij.
