Shqipëria do të përfitojë një tjetër fond nga Bashkimi Evropian, në kuadër të Planit të Rritjes. Bëhet fjalë për fondin prej 200 milionë eurosh, që BE-ja do të shpërndajë ditët në vijim për Shqipërinë dhe Malin e Zi, dy vendet që kryesojnë procesin e anëtarësimit dhe synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian brenda kësaj dekade.
Lajmi u bë i ditur nga komisionerja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, para takimit në Bruksel, mes ministrave të Jashtëm të 27 vendeve anëtare të unionit dhe homologëve të tyre në gjashtë vendet e rajonit.
“Kam një mesazh shumë të qartë: ka një vend për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Zgjerimi është përparësi për Bashkimin Evropian dhe nëse kandidatët tanë arrijnë rezultate, atëherë edhe ne duhet të përmbushim detyrat tona. Në planin e rritjes, zbatimi po ecën mirë dhe ditët në vijim do të shpërndajmë rreth 200 milionë euro për Malin e Zi dhe Shqipërinë”, u shpreh Kos.
