Biznismeni dhe pronari i kompanisë MEKA në Dragash, në EURO n’T7, ka thënë se edhe sot vazhdon të ketë probleme të mëdha në furnizim me energji elektrike, edhe pse kishte besuar se këtyre problemeve u ka ardhur fundi.
Piraj, i cili në fabrikën e tij punëson 85 punëtorë, thotë se ka besuar se shteti do t’i dilte në ndihmë edhe për faktin se në një vend rural siç është Dragashi, duke punësuar, po e ndal migrimin e tyre qoftë në qytete të mëdha, qoftë në Perëndim.
“Kam menduar se duhet të mbështetet një fabrikë si e imja, e cila punëson 85 punëtorë, por për fat të keq kjo nuk ka ndodhur. Për fat të keq kam qëlluar në një linjë të furnizimit me energji ku nuk ka kryetar të komunës. Unë kryetarin aktual të Dragashit e respektoj dhe e vlerësoj, por shumë herë linja e kryetarit ka rrymë, ndërsa linja ime jo. Po të isha unë kryetar, përherë do t’i kisha dhënë përparësi fabrikës karshi vetes time. Kryetari aktual nuk e bën me qëllim, duke qenë se këtë e bën distributori që kryetarin të mos e lërë në terr, ndërsa për ne s’ka problem”, ka thënë Piraj.
