Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, ka biseduar me ambasadorin e Rusisë në Beograd, Aleksandar Bocan-Harchenko, lidhur me arrestimin nga autoritetet në Kosovë të Igor Popoviqit.
Petkoviq, gjatë bisedës me ambasadorin rus, siç ka njoftuar kabineti i tij, “ka theksuar shqetësimin e fuqishëm të Beogradit” për shkak të arrestimit të Popoviqit, i cili është ndihmës i tij në Zyrën për Kosovën të Qeverisë së Serbisë.
Më 18 korrik, Popoviq qëndroi në Hoqë të Madhe ku mori pjesë në përvjetorin e vrasjes së serbëve në territorin e komunës së Rahovecit, ku gjatë fjalimit të tij e quajti Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) “organizatë terroriste”.
Për këtë shkak, më pas ai u arrestua nga Policia e Kosovës në pikën kufitare të Bërnjakut dhe më pas autoritetet i shqiptuan një muaj paraburgim.
Sipas Petkoviqit, bëhet fjalë për “arrestim dhe vendim arbitrar që nuk bazohet në sundim të ligjit, por në hakmarrje politike dhe përkatësi etnike”.
“Prishtina vazhdon me veprime përshkallëzuese, me ngritjen e tensioneve dhe shkaktimin e krizave në terren dhe me veprimet e saj, përfshirë edhe arrestimin e ndihmësit tim Igor Popoviq, po e zhvlerëson dhe po e mbyt drejtpërdrejt dialogun”, tha Petkoviq.
Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog për normalizim të raporteve që nga viti 2011. Procesi ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Serbia, megjithatë, llogarit në mbështetjen e Rusisë në organizatat ndërkombëtare në kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës.