Vazhdimi i seancës konstituive në Kuvendin e Kosovës më 9 shtator, që pritet t’i hap rrugë edhe zgjedhjes së presidentit, nuk po shihet optimiste nga qytetarët se do të ketë rezultate pozitive edhe për zgjedhjen e të parit të shtetit në vend, përkundrazi ata mendojnë se vendi do të shkojë prapë në zgjedhje të reja.
Për qytetarin Mirsad Krasniqi, shkuarja në zgjedhje do të ishte një dëm I madh për Kosovën dhe një imazh i keq për shtetin.
“Unë mendoj sepse është momenti i fundit, domethënë në qoftë se nuk zgjidhet edhe të mërkurën, atëherë pashmangshëm do të shkojmë në zgjedhje. Kjo do të ishte një dëm shumë i madh për Kosovën, një imazh shumë i keq për Kosovën, sepse brenda dy viteve me u bë tri-katër herë zgjedhjet, çka është tepër, tepër”, tha Krasniqi.
E për këtë, shprehet se përgjgjësia qëndron tek partitë opozitare që sipas tij, i gjetën behane edhe andidatit për president, Bekim Sejdiut.
“Unë nuk mendoj dikush sepse jo ti je kështu nga kjo parti apo jo, po shihet ku, partitë opozitare. Këtdo që do ta propozojnë, këta nuk e votojnë. Do ta propozojnë kënd të duan, asnjë njeri këta nuk e votojnë. Është ajo farsë e tyre që domethënë “jo ky”, i gjetën behane Sejdiut”, u shpreh ai.
Ngjashëm mendon edhe Bajram Demaj, i cili thekson se partitë opozitare nuk po duan t’i bëjnë votat për zgjedhjen e presidentit.
“Mendimi im personal si qytetar i Prishtinës, aspak nuk jam optimist që do të bëhen zgjedhjet e presidentit të Republikës…. Arsyetimi është për shkak se partitë opozitare nuk po duan me i bërë votat, 80 vota në Kuvend me ia bërë kuorumit edhe me… me e zgjedhur presidentin, meqënëse është shumë kandidat i mirë edhe me pëlqimin e dy partive domethënë, edhe të LDK-së e kanë propozuar Bekim Sejdiun”, tha Demaj.
