Përplasje verbale ka pasur mes deputetit të PDK-së, Eman Rrahmani, dhe anëtarit të Komisionit nga VV-ja, Armend Baloku, gjatë mbledhjes së Komisionit Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt, raporton Ekonomia Online.
Përplasja nisi pasi Rrahmani kërkoi nga eksperti Skender Kandiq të deklarohej nëse kishte konflikt interesi, duke ngritur dyshime për shkak të punës së tij të mëparshme në Qendrën për Punë Sociale (QPS).
“Sa i përket ekspertëve, eksperti Skender Kandiq me na tregu nese nuk ka konflikt interesi, unë sa e di kanë qenë pjesë e QPS-së atje”, pyeti ai.
Kandiq mohoi të ketë konflikt interesi, duke sqaruar se para luftës kishte punuar në QPS, ndërsa pas luftës kishte qenë drejtor në Spitalin Rajonal.
“Unë para luftës kam punuar me QPS, pas luftës kam qenë drejtor në spitalin regjional, nuk kam asnjë konflikt interesi”, tha ai.
Pas kësaj, anëtari i Komisionit nga VV-ja, Armend Baloku, kritikoi Rrahmanin, duke thënë se ai ka pasur mundësi ta shqyrtonte CV-në e ekspertit para votimit të tij.
Rrahmani iu kundërpërgjigj duke thënë se Kandiq është figurë politike dhe se deputetët e njohin të kaluarën e tij.
