Vendosja e gurthemelit për një kishë katolike në fshatin Zogaj të Vushtrrisë është shndërruar në një debat publik. Banorët e zonës kanë kundërshtuar projektin përmes protestës dhe ngritjes së një kallëzimi penal. Në anën tjetër, pronari i tokës, Musë Musa, thotë se ajo që ndodhi më 18 gusht ishte vetëm një ceremoni fetare për bekimin e vendit ku, sipas tij, kisha pritet të ndërtohet vitin e ardhshëm. Për këtë aktivitet, Musa thotë se nuk duhet leje.
Vendosja e gurthemelit të një kishe katolike në Zogaj të Vushtrrisë nuk kaloi pa kundërshtime.
Ajo që organizatorët e kishin paralajmëruar si një ceremoni fetare dhe simbolike u kthye në një pikë përplasjeje publike, pasi banorë të fshatrave përreth e kundërshtuan projektin.
Përballë kundërshtimeve, pronari i tokës, Musë Musa, në një prononcim për Insajderin, e kundërshton interpretimin se më 18 gusht ka nisur ndërtimi i kishës.
Sipas tij, ceremonia kishte karakter fetar dhe synonte vetëm bekimin e tokës ku është planifikuar ndërtimi i objektit.
“Gurthemeli është vendos, nuk është ndalu. Ka pas tentativa me u ndalu, por nuk është ndaluar. Gurthemeli është aty dhe është punë e kryme”, thotë Musa.
Ai pretendon se aktiviteti nuk kishte për qëllim nisjen e punimeve ndërtimore.
“Ajo ka qenë një ceremoni fetare, sepse sipas riteve duhet me u bo bekimi i vendit ku duhet me u ndërtu kisha”, shprehet ai.
Sipas Musës, në aktivitet ishte paraparë edhe pagëzimi i disa personave, por ceremonia nuk u zhvillua plotësisht për arsye sigurie.
“Ka qenë simbolike. Është vendos guri, ka pas me u pagëzu disa persona. Për shkak të shkallëve të sigurisë nuk është mbajt ceremonia. Kemi vendos që meshën me mbajt në Katedrale”, thotë ai.
Ai thotë se toka ka qenë pronë e tij personale, por se tashmë ia ka dhuruar Ipeshkvisë Prizren-Prishtinë.
“Toka ka qenë personalisht në emrin tim. Unë ia kom bo dhuratë më 12 qershor 2026 Ipeshkvisë Prizren-Prishtinë, ligjërisht te noteri në Vushtrri. Prona nuk është më e imja, është e Dioqezës Prishtinë-Prizren”, deklaron Musa.
Sipas tij, Kisha do të ndërtohet vitin e ardhshëm.
Musa pretendon se ndërtimi i kishës nuk ka nisur dhe se procedurat për objektin do të zhvillohen më vonë.
“Aty do të ndërtohet një kishë pas marrjes së lejes nga Drejtoria e Urbanizmit të Komunës dhe Ministrisë së Ambientit. Vitin e ardhshëm planifikon Ipeshkvia me ndërtu kishën dhe do të aplikojnë”, thotë ai.
Në fillim të gushtit, banorë të zonës thanë se nuk e shohin të nevojshme ndërtimin e një kishe në atë lokacion. Kundër ndërtimit të kësaj kishe u bë edhe një peticion duke e quajtur të kundërligjshme.
Edhe Këshilli i Bashkësisë Islame në Vushtrri shprehu kundërshtim ndaj projektit, duke e lidhur atë me mungesën, sipas tyre, të një komuniteti katolik në atë zonë.
Ndërkohe, Komuna e Vushtrrisë reagoi publikisht duke deklaruar se ishte informuar për tentativën e një grupi qytetarësh të besimit katolik për vendosjen e gurthemelit të një kishe në Zagorë.
Sipas njoftimit të komunës, për aktivitetin nuk ishte paraqitur asnjë kërkesë për leje dhe, për pasojë, komuna nuk kishte lëshuar leje për vendosjen e gurthemelit, fillimin e punimeve apo zhvillimin e ndonjë aktiviteti ndërtimor në atë lokacion.
Komuna deklaroi gjithashtu se kishte njoftuar Policinë e Kosovës dhe se çdo ndërtim apo ndërhyrje në territorin e saj duhet të zhvillohet në përputhje me procedurat dhe legjislacionin në fuqi.
Në të njëjtën deklaratë, komuna u distancua nga çdo interpretim se qëndrimi i saj lidhej me fenë, duke theksuar se garanton lirinë e besimit dhe të drejtat e të gjitha komuniteteve. Pra, sipas versionit zyrtar të komunës, problemi ishte procedural dhe institucional, jo fetar.