Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kritikuar qeverisjen qendrore, duke thënë se kishte pritur të bashkëpunonte me njerëz të zgjedhur nga qytetarët, por që, sipas tij, nuk janë të gatshëm të bashkëpunojnë dhe po e sabotojnë punën në kryeqytet.
Në emisionin “DPT te Fidani”, Rama tha se kishte ardhur për ta ndihmuar vendin dhe se projektet e tij i kishte planifikuar për dy mandate.
“Unë kam thënë se projektet dhe planet e mia kryhen për dy mandate. Kam ardhur t’i ndihmoj vendit tim. Unë kam menduar që këtu kam me mujt me bashkëpunu me njerëz që janë të votum prej qytetarëve të Kosovës, njerëz që e dojnë vendin, që dojnë me bashkëpunu, që nuk janë egocentrikë, që s’janë psikopatë. Kam mendu që janë njerëz normalë me çu vendin përpara”, deklaroi Rama.
Ai akuzoi qeverinë se po e keqpërdor pozitën për të penguar punën dhe zhvillimin e Prishtinës.
“Jo me keqpërdorë pozitën për me blloku, sabotu punën dhe me pengu zhvillimin e Prishtinës dhe gjithë Kosovës”, tha Rama.
Kryetari i Prishtinës pretendoi se pengesat nuk i përjeton vetëm ai, por edhe të tjerët që nuk i përkasin partisë në pushtet.




