Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e ka quajtur “hap të madh për transparencë dhe pavarësi” ndryshimin e përbërjes së Këshillit Prokurorial, ndërsa foli për qëllimin “e fortë” të Lëvizjes Vetëvendosje në këtë drejtim.
“KPK me përbërje të re, hap i madh për transparencë dhe pavarësi. Si rezultat i ndryshimeve të miratuara, nga janari 2026 Këshilli Prokurorial i Kosovës fillon punën me përbërjen e re ligjore prej 7 anëtarë. Për dallim nga përbërja e kaluar, balanci mes anëtarëve prokurorë dhe jo‑prokurorë është dukshëm më i afërt. Kjo siguron që KPK, si një institucion kyç për funksionimin e drejtësisë, të mos mbetet një rreth i mbyllur i grupeve të interesit brenda sistemit prokurorial, por të përfshijë edhe zëra të pavarur nga jashtë, që marrin vendime pa u ndikuar nga askush”, shkroi ajo në një postim në Facebook.
Haxhiu tha se “sapo të konstituohet Kuvendi, do të sigurohemi që edhe anëtari i mbetur jo‑prokuror të zgjidhet pa vonesa, përmes një procedure që garanton përzgjedhjen e një kandidati të përgatitur dhe pa ndikime politike, e i cili propozohet nga Komisioni me përbërje profesionale, ashtu siç parasheh Ligji i ri”.
“Si përfaqësues të besuar të qytetarëve, mbetemi të përkushtuar të çojmë deri në fund pjesën tjetër të reformës në drejtësi. Qëllimi ynë është i qartë dhe më i fortë se asnjëherë më parë, një sistem i drejtësisë plotësisht i pavarur, i paanshëm dhe i pandikuar as nga jashtë e as nga brenda, që u ofron qytetarëve drejtësi efikase dhe të besueshme”, shkroi ajo.
Këtë muaj nis zbatimi i Ligjit për plotësim ndryshimin e ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) përmes të cilit parashihet që KPK të ketë 7 anëtarë, nga 13 anëtarë që kishte me ligjin e vjetër, siç raportoi dje Betimi për Drejtësi.
