Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka reaguar pas intervistimit nga Prokuroria Speciale në cilësinë e të pandehurit në lidhje me grantet në Ministrinë e Bujqësisë sa ai ishte ministër.
Peci në reagim thotë se atij iu desh të shkojë sot në Prokurori për shkak të një “kallëzimi të rrejshëm penal” të ngritur nga deputeti i LDK-së, Paris Guri.
Ndërkaq, ai tha se në Prokurori ishte “transparent”.
“Përmes këtij postimi, ju informoj se sot isha në Prokurori për të dhënë përgjigjet dhe sqarimet e mia në kallëzimin penal të ngritur nga LDK-ja përmes ish-deputetit të saj të zgjedhur nga votat e vjedhura të mërgatës, Paris Guri. Në prokurori, sikur gjithmonë gjatë jetës sime, isha transparent, i qartë dhe i drejtpërdrejtë në lidhje me shpjegimet rreth çështjes dhe rolit që kam pasur si Ministër në procesin e granteve të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural”.
