Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) janë larguar nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), pas konstituimit të tij, duke kërkuar që në Kuvend të procedohet sa më parë plotësim-ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Deputetja e PDK-së, Besa Kabashi-Ramaj, tha se konstituimi i institucioneve është i rëndësishëm, por sipas saj, aktualisht prioritet duhet të jetë Ligji për Dhomat e Specializuara.
“Ne sapo morëm pjesë në Komisionin për Mbikëqyrjen e AKI-së, dhe natyrisht si Parti Demokratike e Kosovës konsiderojmë që konstituimi i institucioneve është shumë i rëndësishëm, prandaj edhe ishim aty. Mirëpo gjithashtu jemi larguar nga ky takim pas konstituimit për shkak se për momentin për Republikën e Kosovës nuk ka ndonjë prioritet më të madh se sa procedimi i plotësim-ndryshimit të Ligjit për Specialen”, tha Kabashi-Ramaj.
Edhe deputeti i PDK-së, Rrahman Rama, tha se partia e tij e konsideron këtë ligj si “prioritet mbi prioritetet”, duke paralajmëruar se deputetët e PDK-së nuk do të marrin pjesë në komisione të tjera deri në procedimin e tij.
“Por neve si parti, qysh e tha edhe Besa, është prioritet mbi prioritetet ligji. Dhe ne nuk do të marrim pjesë në asnjë komision pa u kry ky ligj. Në qoftë se shohim kanë ardhur shumë ligje këtu brenda për brenda Kuvendit nëpër komisione të ndryshme, dhe ne besojmë, dhe po besoj, edhe gjithë qytetarët besojnë që prioriteti numër një është Ligji për Dhomat e Specializuara”, deklaroi Rama.




