Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës, në mbledhjen e mbajtur sot, diskutoi certifikimin e rezultateve zgjedhore dhe shqyrtoi ftesën e dërguar nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje.
Partia Demokratike e Kosovës e trajton me seriozitet çdo kërkesë zyrtare që i drejtohet dhe konsideron se çdo iniciativë që synon funksionalizimin e institucioneve të Republikës së Kosovës meriton të dëgjohet dhe të vlerësohet me përgjegjësi, prandaj kryetari Bedri Hamza do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës për të marrë pjesë në takimin e nesërm, që të dëgjojë se çfarë zgjidhjeje konkrete ofron z. Kurti për tejkalimin e krizës institucionale.
PDK rithekson se përgjegjësia kushtetuese dhe politike për formimin e institucioneve i takon partisë që ka dalë e para në zgjedhje. Për këtë arsye, pret që z. Kurti të paraqesë planin e tij për krijimin e institucioneve dhe sigurimin e shumicës së nevojshme.
