Nga Gjykata Themelore në Prishtinë shpallen të pafajshëm kryeparlamentarja Haxhiu dhe deputetët e asaj kohe Donika Kadaj Bujupi, Pal Lekaj dhe Besa Baftiu pas 10 viteve për gazin Lotsjellës në Kuvend.
Këtë e konfirmoi para medieve Musa Damati, avokat i Pal Lekaj i cili tha se ky është një triumf i mbrojtjes dhe se Gjykata Themelore ka dështuar procedimin tutje të shqyrtimit të rastit.
“Për të gjithë ju, në cilësinë e avokatit të deputetit të asaj kohe, zotrit Pal Lekaj, konfirmoj dhe deklaroj para jush dhe para qytetarëve të Republikës së Kosovës se klienti im, zotëri Pal Lekaj, është shpallur i pafajshëm nga të gjitha akuzat me të cilat është ngarkuar në rastin e njohur për publikun, rastin e gazit lotsjellës. Pra kemi të bëjmë me rastin e njohur të hedhjes së bombolave të gazit lotsjellës, për të cilat janë pandehur dhe janë ngarkuar, dhe është rast i cili është shqyrtuar tashmë e dhjetë vite në organet e Kosovës. Zotëri Pal Lekaj, pas rreth pesë viteve në shumë seanca të cilat janë caktuar dhe janë mbajtur, së bashku me mua si mbrojtës i tij, në çdo seancë kemi prezentuar, pavarësisht agjendës së ngarkuar, times dhe të tij. Gjykata Themelore në Prishtinë ka dështuar që të procedojë tutje me shqyrtimin e këtij rasti penal juridik, dhe na ka dërguar vendimin, aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, në bazë të së cilës klienti im, deputeti i asaj kohe zotëri Pal Lekaj, është shpallur në tërësi i pafajshëm. Ky është një sukses i jashtëzakonshëm i mbrojtjes në procedurat e përfaqësimit të bëra ndër vite, dhe më në fund është një triumf i drejtësisë dhe është një fitore e pastër juridike në raport me të mbrojturin tim”, tha Damati para mediave, raporton Ekonomia Online.
