Ekspertja Helen Fraser po vazhdon dëshminë në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ku pas pyetjeve të mbrojtjrs po përgjigjet në pyetje të Prokurorisë.
Në këtë rast, Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi, akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Mbrojtësja e Hashim Thaçit, avokatja Sophie Menegon, edhe në vazhdim të pyetjeve paraqiti një dokument të ZPS-së nga vizitat te Thaçi, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sa i përket audios së vizitës së Smakajt, dëshmitarja tha se nuk dihet përfundimisht çfarë është thënë për të caktuar saktësinë e tyre.
Sa i përket transkriptuesit të vizitave të Fadil Fazliut, bazuar në dokumentet e ZPS-së, avokatja tha se ky përkthyes ka qenë i pranishëm në 31 intervista të ZPS-së apo kontaktet me dëshmitarë dhe 7 intervista tjera me dëshmitarë, në çështjen për krime lufte.
Menegon tha se detyra e tij ishte rishikues i dokumenteve/përkthyes, gjë që duket më shumë si pozitë e analistit. Me këtë u pajtua edhe Fraser.
Në dokumentin tjetër të ZPS-së, personi i përfshirë në transkripte ishte i përfshirë në rishikimin e 13 transkripteve të Thaçit dhe tjerëve, në veçanti nga vizita e Fazliut dhe Smakajt. Tha se ky person ishte përgjegjës në pjesën më të madhe në rishikimin përfundimtar të transkripteve.
Sipas Menegon, ky person ishte me shtetësi shqiptare dhe se ka qenë i pranishëm në 64 intervista apo kontakte me dëshmitarë, dhe 17 intervista tjera, kontakte apo thirrje telefonike me dëshmitarë. Ajo tha se shqipja është gjuha e tij amtare dhe ka një diplomë përkthimi.
Lidhur me ndikimin që ky person mund të ketë pasur, ekspertja tha se ka ndërveprim mes informacionit dhe punës me transkripte, duke shtuar se kjo nuk është përvojë e mirë.
Këto dokumente u pranuan në prova.
Helen Fraser ritheksoi se nuk mund të mbështetesh në ato transkripte të ZPS-së si të sakta.
Sa i përket transkripteve të rishikuara nga ZPS, Fraser tha se nga përvoja e saj, ky është proces i vazhdueshëm rishikimi e redaktimi, ngase konteksti bëhet më i qartë. Tha se nuk e ka të qartë se çfarë duhet të bëjë trupi gjykues lidhur me këto versione, por sipas saj, duhet të ketë vetëm një version përfundimtar.
Avokatja e Thaçit paraqiti dy versione të transkripteve të ZPS-së lidhur me vizitën e njëjtë të Smakajt, ku krahasoi ndryshimet në dy versionet.
Ekspertja tha se është e pamundur të vendoset cili prej këtyre versioneve është i saktë.
Sipas dëshmitares, në rastin kur është vendosur pikëpyetje para fjalës “sinqerisht”, transkriptuesi mund të mos ketë qenë i sigurt për saktësinë e fjalës së përdorur.
Më pas, u paraqit një dokument nga transkripta e vizitës së Kilajt, ku u tha se kishte tri versione të transkriptit të kësaj audio.
