Pas gjetjes së mbetjeve mortore gjatë gërmimeve në zonën e Kalludrës në Zubin Potok, ka reaguar Erblin Ademi, djali i kirurgut të zhdukur, Adem Ademi, i cili ishte pjesë e grupit prej 23 intelektualëve shqiptarë të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Në një postim publik, Ademi ka bërë të ditur se për 27 vjet kishte zgjedhur të mos fliste për rastin e babait të tij dhe të grupit të intelektualëve, por zhvillimet e fundit e kanë shtyrë ta thyejë heshtjen.
“Sot është një ditë me ndjenja të përziera për mua dhe familjen tonë. Nga njëra anë ndjejmë dhimbje të madhe, sepse pas 27 vitesh po përballemi sërish me realitetin e hidhur se babai ynë, së bashku me 22 persona të tjerë, u vranë dhe u zhdukën gjatë luftës së fundit në Kosovë”, shkruan ai.
Ai kujton se babai i tij ishte kirurg dhe mjek i respektuar, i cili ia kushtoi jetën shpëtimit të njerëzve dhe, gjatë luftës, ndihmoi në trajtimin e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas tij, familja kishte jetuar për gati tri dekada me pritje, ankth dhe pa përgjigje për fatin e babait të tij, ndërsa thekson se që nga paslufta kishin pasur informacione se grupi ishte vrarë në zonën ku tani po zhvillohen gërmimet.
“Pas arrestimit të personave që dyshohen se kanë marrë pjesë në këtë krim dhe fillimit të gërmimeve, duket se më në fund po afrohemi drejt zbardhjes së së vërtetës. Megjithatë, presim që të respektohen të gjitha procedurat institucionale dhe të mjekësisë ligjore, duke u bërë identifikimi zyrtar i mbetjeve mortore me profesionalizëm dhe dinjitet”, shkruan Ademi.
