Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, ka reaguar pas identifikimit të mbetjeve mortore të Idriz Rrecajt, Adem Beqirit dhe Sali Mziut, të zhvarrosura së fundmi në Mitrovicë.
Haziri ka thënë se lajmi për identifikimin e tyre vjen në një periudhë kur, sipas tij, Kosova po përballet me zhvillime që lidhen me ish-pjesëtarët e UÇK-së.
“Pas më shumë se 27 vitesh të zhdukur, lajmi i madh është se në mesin e 23 personave, mbetjet mortore të të cilëve janë zhvarrosur së fundmi në Mitrovicë, janë identifikuar edhe Idriz Rrecaj, kryetar dhe udhëheqës i LDK-së në Skënderaj dhe Drenicë, dhe Adem Beqiri, anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Mitrovicë, veprimtarë të njohur të çështjes kombëtare, të cilët ishin në krye të rezistencës e kryengritjes për liri në Skënderaj e Mitrovicë, sikurse edhe mbetjet e bashkëveprimtarit të tyre, Sali Mziut”, ka shkruar Haziri.

