Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka bërë të ditur se është duke zhvilluar një takim në Shtëpinë e Bardhë me këshilltarët e tij më të afërt, për të marrë një vendim përfundimtar lidhur me një marrëveshje të mundshme me Iranin.
Lajmin e ka konfirmuar vetë Trump përmes një postimi në platformën Truth Social, ku ka zbuluar edhe disa nga kushtet kryesore të marrëveshjes që po diskutohet.
“Do të zhvilloj tani një takim në Situation Room për të marrë një vendim final”, ka shkruar Trump në postimin e tij të gjatë të publikuar pak para orës 11:00 sipas kohës lokale në SHBA.
Sipas presidentit amerikan, një nga kushtet kryesore është që Irani të pranojë zyrtarisht se nuk do të zotërojë kurrë armë apo bomba bërthamore, raporton CNN .
Trump po ashtu ka kërkuar që Ngushtica e Hormuzit të hapet menjëherë për qarkullimin detar, pa tarifa apo kufizime për anijet që kalojnë në këtë korridor strategjik ndërkombëtar.
Ai deklaroi gjithashtu se minat e vendosura nga Irani në këtë zonë detare duhet të hiqen menjëherë.
