Kriza energjetike që ka kapluar vendin, duket se do të vazhdojë edhe më tej. Madje, paralajmërohet se e njëjta vetëm sa do të thellohet edhe më shumë. Nëse marrim vetëm të dhënat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, aty shohim se gjatë muajit shtator të këtij viti, energjia elektrike bruto në dispozicion ishte 444.92 GWh, kurse konsumi i energjisë elektrike ishte 348.667 GWh ose 1,47% më i madh sesa në muajin e njëjtë të vitit paraprak.
N ga ASK , në të dhënat e publikuara, thuhet edhe se, importi i energjisë elektrike në shtator të vitit 2025 ishte 316.8 GWh, kurse eksporti i energjisë elektrike në të njëjtën periudhë ishte 268.22 GWh.
Tutje, aty shtohet po ashtu se, prodhimi i thëngjillit për muajin shtator 2025 ishte rreth 515.61 mijë ton që paraqet një rënie prej (-14,05%) në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Lidhur me këtë çështje, është deklaruar edhe, Adhurim Haxhimusa, që është njohës i fushës së energjisë.
Ky i fundit, ka deklaruar se rritje e madhe vërehet edhe kur krahasohet 3-mujori i vitit të shkuar me atë të sivjetmë, duke theksuar se, sipas tij, ‘’ndoshta do të kemi nevojë për korrigjim të tarifave të energjisë elektrike për vitin 2026.
“Në bazë të të dhënave të Doganës së Kosovës rrjedh që në tremujorin e parë të 2025 janë importuar rreth 125 milionë euro energji elektrike, ndërsa në tremujorin e parë të 2024 janë diku rreth 45 milionë euro. Shihet një rritje enorme e importeve, për diku trefishim të sasisë dhe më shumë shqetësuese në këtë është se kjo sasi e importeve është para se të fillojë procesi i renovimit të “Kosovës B”. Kjo e rrit edhe frikën se do të kemi ndoshta nevojë për korrigjim të tarifave të energjisë elektrike për vitin 2026”, ka thënë Haxhimusa, raporton Koha.net
Kurse, në anën tjetër, vetë Zyra e Rregullatorit për Energji, ka bërë të ditur se në fund të këtij muaji do të fillojë shqyrtimi i tarifave të reja për vitin 2026.
