Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, dhe ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), janë takuar së fundmi në parkun “Gërmia” në Prishtinë.
Nacionale ka siguruar një fotografi ku Hoxhaj dhe Konjufca shihen së bashku në njërën nga kafenetë e kësaj zone.
Deri më tani nuk dihet se cila ka qenë tema e diskutimit mes tyre. Deputeti i PDK-së nuk u është përgjigjur pyetjeve të Nacionales lidhur me këtë takim.

Foto: Nacionale
Takimi mes Hoxhajt dhe Konjufcës vjen në një kohë kur institucionet e Kosovës po ndërmarrin hapa për hartimin e një strategjie shtetërore lidhur me apelin në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Të enjten, gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, konfirmoi se ishte takuar me kryeministrin Albin Kurti disa ditë më parë.
“Unë dhe kryeministri Albin Kurti jemi takuar para dy ditësh, për çka edhe e falënderoj. Dje është formuar grup punues për strategji shtetërore për apelin ndaj katërshes së UÇK-së”, tha ai.
Grupi Punues për hartimin e strategjisë shtetërore lidhur me apelin ndaj ish-krerëve të UÇK-së është formuar në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës. Drejtimi i tij i është besuar kryediplomatit Glauk Konjufca.
Në këtë grup parashihet të marrin pjesë përfaqësues të Qeverisë, Presidencës, Kuvendit dhe partive parlamentare, përfshirë LVV-në, PDK-në, LDK-në dhe AAK-në.
Një nga detyrat kryesore të grupit do të jetë bashkëpunimi me ekipet mbrojtëse të të akuzuarve në Hagë. Në këtë kuadër, grupi do të identifikojë nevojat për dokumentacion, ekspertizë profesionale dhe mbështetje institucionale, duke respektuar pavarësinë e ekipeve mbrojtëse.
Po ashtu, në kuadër të mandatit të tij parashihet shqyrtimi i çështjeve që lidhen me të drejtat themelore dhe standardet e gjykimit të drejtë.
Dokumenti parasheh edhe analizimin e aktgjykimeve të Tribunalit të Hagës për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë gjatë viteve 1998–1999. Materialet e identifikuara synohet të shërbejnë për dokumentimin e së vërtetës historike dhe, sipas nevojës, t’u vihen në dispozicion ekipeve mbrojtëse.
Sipas vendimit të Qeverisë, afati për hartimin e propozimit fillestar të strategjisë dhe planit të veprimit është 30 ditë nga konstituimi i grupit.
“Grupi Punues, brenda tridhjetë (30) ditëve nga konstituimi, harton propozimin fillestar të Strategjisë Shtetërore dhe planin e veprimit”, përcakton vendimi.
Mandati i grupit punues do të jetë gjashtë muaj, me mundësi vazhdimi.