Gazetari Emal Panduri publikoi një video ku deputetja e PDK-së Blerta Deliu Kodra deklaronte se të gjitha premtimet publike i kanë mbajtur.
Sipër videos Panduri shkroi se PDK-së iu dashtën 10 minuta për me e kuptu që fjala e dhënë mbahet e nuk abstenohet.
“Ne të të gjitha premtimet publike që I kemi thënë dei më tani I kemi mbajtur” kishte thënë Deliu Kodra gjatë një intervsite.
Në seancën e radhës sot për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje propozoi tri kandidatura për Kryetar të Kuvendit. Emri i parë nga kjo parti e cila doli fituese në zgjedhjet e 9 shkurtit, ishte ai i Hekuran Muratit, për herë të dytë, pasi edhe në seancën e fundit ishte propozuar emri i tij. Emri i dytë ishte ai i Arbërie Nagavcit, ndërsa i treti, Dimal Basha.
Në votimin për Hekuran Muratin për postin e Kryeparlamentarit, ai arriti të merrte kësaj radhe vetëm 55 vota, dy më pak nga hera e fundit, të premten, kur dhe u propozua nga VV-ja. Pasi dështoi të merrte votat e mjaftueshme, Hekuran Murati në emër të VV-së propozoi Arbërie Nagavcin, ku dhe ajo s’mori më shumë se 55 vota nga deputetët. 47 vota pati kundër dhe katër abstenime.
Për dallim nga dy propozimet e para të VV-së që ishin kandidatura, që kishin qenë pjesë e Qeverisë Kurti, dy ministra, VV-ja erdhi me një propozim të ri, Dimal Basha. Por, pavarësisht se s’kishte qenë pjesë e qeverisë, s’pati qëndrim ndryshe nga partitë tjera, e as ai s’mori votat e mjaftueshme për Kryeparlamentar.
Për Bashën pati 57 vota për, 25 kundër dhe 24 abstenime.
Në votim, PDK-ja abstenoi, ani pse vazhdimisht kishin deklaruar se do të votojnë cilindo kandidatë që s’ka qenë pjesë e Qeverisë Kurti. Thirrjet e tyre kanë qenë të vazhdueshme në kërkesën për ndryshimin e kandidatit.
Pas dështimit të seancës, i pari i PDK-së, Memli Krasniqi doli me arsyetimin se gjatë votimit për Dimal Bashën, Abelard Tahiri kishte ngritur dorën që të kishte një pauzë prej 10 minutash për konsultim, por që siç tha ai nuk ishte marrë parasysh nga Kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari.
”Abelard Tahiri kërkoi një pauzë 10 minutëshe nga kryesuesi i seancës para se të ndodhte ky votim, por edhe këtë herë u injoruam. U munduam ta kemi edhe miratimin e kësaj kërkese, ai e shpërfilli duke mos na e mundësuar fare”, deklaroi Krasniqi para gazetarëve pas dështimit të seancës.