Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reguar pas paralajmërimit nga deputet të Lëvizjes Vetëvendosje se Qeveria po përgatit një pako për të ndihmuar qytetarët.
Ajo përmes një postimi në Facebook ka shkruar se në një kohë kur ekonomia globale po përballet me pasiguri të mëdha dhe rritje të çmimeve të energjisë e naftës, Qeveria po fokusohet më shumë në procese zgjedhore sesa në masa për stabilizimin ekonomik.
“Qeveria e Kosovës në vend që të ndërmarrë masa në ekonomi, po përgatitet një “pako” prej 200 milionë eurosh, jo për prodhim, as për energji, as për zhvillim, po për zgjedhje, për zgjedhje të jashtëzakonshme, të tretat në më pak se një vit e gjysmë”, ka shkruar ajo.
Postimi i plotë:
Derisa “The Economist” po paralajmëron se ekonomia globale po hyn në një fazë të rrezikshme, Qeveria jonë po përgatitet për zgjedhje
Çmimet e naftës u rritën deri në 63% brenda një muaji, kudo në botë kemi rritje të çmimeve të energjisë, po rriten kostot e financimit dhe bizneset po hyjnë në një fazë të re të pasigurisë. Në këtë kohë të pasigurisë gati të gjitha vendet po ndërmarrin masa për të mbrojtur ekonomitë dhe qytetarët e tyre, te ne, Qeveria sillet sikur asgjë nuk po ndodh, në fakt Qeveria po fërkon duart tek sheh se në kurriz të inflacionit po mbushet arka e shtetit. Në Eurozonë 2.5% inflacion konsiderohet alarm, në Kosovë me 6.7% dhe Qeveria ende sillet sikur çdo gjë është në rregull.
Qeveria refuzon të lëvizë me politika fiskale, gjë të cilën po e bëjnë shumica e qeverive serioze. Deri më tani Qeveria nuk ka ofruar asnjë mbështetje për prodhuesit vendorë dhe nuk ka asnjë strategji për energjinë, varësia nga importi sidomos i energji po e gërryen sektorin edhe ashtu të vogël prodhues që kemi.
