Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar Vitin e Ri, dyke thënë se viti që po e lëmë pas ka dëshmuar se Kosova ecën përpara kur vepron me vendosmëri, me vlera dhe me unitet.
Ajo tha se Kosova qëndroi e palëkundur ndaj çdo përpjekjeje destabilizuese.
“Në këtë natë ndërrimi vitesh, teksa mbyllim një vit të mbushur me punë, vendime të rëndësishme, por edhe me sfida, ndalemi për të reflektuar mbi rrugën që kemi përshkuar së bashku dhe mbi forcën që kemi treguar si shtet dhe si shoqëri. Viti që po e lëmë pas ka dëshmuar se Kosova ecën përpara kur vepron me vendosmëri, me vlera dhe me unitet. Ka qenë një vit në të cilin kemi forcuar edhe më shumë pozitën ndërkombëtare të vendit tonë, kemi mbrojtur rendin kushtetues e interesin shtetëror, si dhe një vit në të cilin kemi vazhduar punën për t’i forcuar aleancat tona me partnerët tanë strategjikë”.
“Kosova ka treguar se është e pranishme, e dëgjuar dhe e respektuar në tryezat ndërkombëtare, si faktor paqeje, stabiliteti dhe besueshmërie. Kosova qëndroi e palëkundur ndaj çdo përpjekjeje destabilizuese, ndërsa brenda vendit vazhdon të ndërtojë një shoqëri më të drejtë, ku të drejtat e njeriut, barazia dhe dinjiteti janë themeli ynë i përbashkët. Sot, Kosova përmbylli një vit jo të lehtë, por një vit në të cilin zëri i saj u dëgjua fuqishëm dhe qëndrimi ynë në arenën ndërkombëtare ishte parimor dhe i palëkundur. Ishte një vit sfidues, sidomos me vonesat në themelimin e institucioneve, por ishte poashtu vit që na ka forcuar dhe na ka përgatitur të ecim përpara me më shumë besim dhe me më shumë përgjegjësi”, tha ajo.
Presidentja u shpreh gjithashtu se viti 2026 na gjen me përgjegjësi të reja dhe synime të qarta.
