Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se nuk beson se do të ketë tërheqje të trupave amerikane të NATO-s nga Kosova, pavarësisht diskutimeve që kanë pasuar publikimin e Strategjisë Kombëtare të Sigurisë të Shteteve të Bashkuara.
E pyetur në një intervistë për Bloomberg më 17 dhjetor 2025, gjatë qëndrimit të saj në Bruksel, Osmani tha se Ballkani Perëndimor ka qenë dhe mbetet rajon shumë i rëndësishëm për SHBA-në dhe për presidentin amerikan Donald Trump.
Ajo theksoi se Kosova është një histori suksesi amerikan dhe se ka gëzuar mbështetje dypartiake nga Uashingtoni. Sipas saj, shpallja e pavarësisë ndodhi gjatë një administrate republikane, ndërsa edhe gjatë mandatit të parë të Trumpit u shënuan suksese të rëndësishme për Kosovën. Osmani shprehu bindjen se edhe në mandatin e dytë të Trumpit mund të ketë përparim në çështje të rëndësishme për Ballkanin Perëndimor.
Presidentja vlerësoi se prania amerikane në rajon, ndonëse me rreth 500–600 trupa, ka një ndikim të jashtëzakonshëm në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit. Ajo theksoi se kjo prani përbën pengesën dhe parandalimin më të fortë ndaj çdo përshkallëzimi të mundshëm të situatës në rajon.
