Ish-presidentja dhe kandidatja e LDK-së për këtë post, Vjosa Osmani, në tubimin e LDK-së në Mitrovicë, pa e përmendur me emër, ftoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për t’u përballur në një debat, për ta faktuar me prova se, sipas saj, ajo ishte presidentja që e mbrojti Kosovën në momentet më të rënda.
“Sulmet terroriste në Banjskë e Ibër- Lepenc ia kujtoi gjithë botës se kemi një fqinj që nuk heq dorë, por le ta dijë ky fqinj nga këtu se nuk do të heqim dorë asnjë milimetër nga mbrojtja e territorit tonë, shtetit tonë. Asnjë presion i vetëm nuk do të na ligështojë kurrë nga ky qëndrim që e kemi mbrojtur çdo ditë në angazhimin tonë politik. E di që ka të tillë që dëshirojnë që qytetarët e Mitrovicës t’i mashtrojnë për këto. Të tillët le ta marrin guximin që të përballemi në një debat, normal politik, me argumente nga ana ime me prova konkrete se si e kam mbrojtur këtë vend dhe sovranitetin e tij. Me prova konkrete se kush komunikoi me Shtëpinë e Bardhë për ta mbrojtur këtë vend në momentet më të rënda. Në këtë rrugë partneriteti me aleatin tonë të lirisë, mbetet garancia më e fuqishme”, tha Osmani.
Osmani u zotua se në Mitrovicën e jugut dhe veriut do të ndërtohet spitali më i madh në Evropën juglindore, donacion mbi 200 milionë euro.
Ajo i shpalosi edhe premtimet e tjera për qytetin e Mitrovicës.
