Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se është në interes të qytetarëve dhe të vetë Kosovës që ajo të rizgjidhet edhe një herë presidente e Kosovës. Ajo ka theksuar se kjo do të sigurojë vazhdimësi të punës së jashtëzakonshme dhe fuqizim të aleancave, të cilat janë të domosdoshme për suksesin e vendit.
Në Osmani tha se Kosova e meriton që këto punë të mira të vazhdojnë. Duke folur për mundësinë që të mos rizgjidhet, ajo shtoi se do të vazhdojë të kontribuojë për vendin dhe për popullin e saj.
“Unë jam e bindur se të gjithë deputetët e Kosovës, pavarësisht se cilës parti i takojnë, do ta vendosin interesin e Republikës së Kosovës të parin”, tha mes tjerash Osmani në një intervistë për emisionin Nerv, me Shkëlzen Gashin.
Duke folur për raportet me kryeministrin në detyrë Albin Kurtin, Osmani tha se deri më sot nuk ka pasur asnjëherë çrregullime në raportet institucionale, në bashkëpunim apo në marrëdhëniet ndërnjerëzore. Sipas saj, edhe në rastet kur ka pasur mospajtime ose interpretime të ndryshme të të njëjtës situatë, raportet kanë qenë gjithmonë shumë korrekte.
“Ka pasur raste kur nuk kemi pasur pajtim të plotë për shumë çështje, dhe kjo është krejtësisht normale. Në fakt, do të ishte shqetësuese sikur të pajtoheshim për çdo çështje dhe të vepronim në mënyrë identike për secilën prej tyre, sepse kjo do të tregonte se parimi i ndarjes së pushteteve nuk po funksionon”, theksoi ajo.
E pyetur për caktimin e datës së zgjedhjeve të fundit të parakohshme, Osmani potencoi se vendimi për datë 28 dhjetor nuk është marrë për shkak të interesit të Vetëvendosjes, por sepse këtë datë e kanë kërkuar edhe parti të tjera, duke shpjeguar edhe qëndrimin e opozitës dhe vlerësimin e sekretariatit të KQZ-së.

