Në pritjen e organizuar për nder të 249-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mori pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila theksoi rëndësinë e marrëdhënieve dhe ndihmës që populli amerikan ka dhënë për Kosovën.
Osmani përshëndeti festën, duke e quajtur një ditë që nuk i nderon vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe mënyrën se si ky shtet ka kontribuar në formësimin e Kosovës. Ajo theksoi se SHBA-ja ka qenë mbështetje e palodhur për popullin kosovar, veçanërisht në momentet më të vështira të historisë së Kosovës.
“Ne e dimë se cilët janë shokët tanë, cilët qëndruan pranë nesh kur ishte më me rëndësi. Populli amerikan ka qëndruar me Kosovën çdo hap. Para 26 vjetëve, udhëheqja juaj na ndihmoi që të fitonim lirinë, një liri që u mohua për shekuj, e çdo vit më tej. Përmes ndërtimit të paqes, ndërtimit të institucioneve dhe zhvillimeve ekonomike, si dhe forcimit strategjik të mbrojtjes dhe diplomacisë. Çdo kapitull i Republikës së Kosovës mbart vulën e SHBA-së”, u shpreh Osmani.