Objekti i Shoqatës së të Shurdhve në Mitrovicë pritet t’i nënshtrohet një renovimi të plotë, në kuadër të një projekti të mbështetur nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).
Lajmin e ka bërë të ditur drejtori për Mirëqenie Sociale në Komunën e Mitrovicës, Ramadan Beshiri, përmes një postimi në Facebook, ku ka theksuar se po realizohet një premtim i dhënë më herët për përmirësimin e kushteve në këtë objekt.
“Kryetari e premtoi në fushatë. Unë si Drejtor, më 3 shkurt e vizitova Shoqatën e të Shurdhve dhe e bëra të qartë: premtimi do të mbahet. Pa kaluar as 7 muaj, renovimi i tërësishëm po fillon”, ka shkruar Beshiri.
Ai ka bërë të ditur se objekti tashmë është përfshirë në raundin e renovimeve të mbështetura nga UNDP-ja.
