Pas degës së LDK-së në Pejë e Lipjan, edhe dega e dytë në Prishtinë ka kërkuar dorëheqjen e Lumir Abdixhikut, nga udhëheqësia e partisë.
Nëpërmjet një deklarimi zyrtar, dega e dytë arsyeton nevojën për orientimin e Kosovës nga zgjidhjet e problemeve dhe marrëdhëniet me SHBA-në.
Duke kërkuar dorëheqjen e tij, dega e dytë thotë: “Kryetarit Lumir Abdixhiku, në një varg procesesh zgjedhore, i janë dhënë të gjitha mundësitë dhe hapësirat për ta rikthyer LDK-në në rrugën e fitores, por, fatkeqësisht, rezultatet kanë munguar”.
Çaste më parë, Abdixhiku reagoi ashpër ndaj kryetarëve të degëve në Pejë dhe Lipjan, Gazmend Muhaxheri dhe Imri Ahmeti, duke i fajësuar për mos-angazhim me strukturat e degëve, që LDK-ja të ketë rezultat më të mirë zgjedhor.
Ky është reagimi i plotë i degës së dytë:
Deklaratë
Sot, vendi ynë po përballet me stagnim ekonomik, izolim ndërkombëtar, polarizim të skajshëm politik dhe humbje të besimit të aleatëve tanë strategjikë. Për herë të parë pas çlirimit, Kosova po rrezikon të largohet nga binarët e përparimit, nga orientimi i saj pro-perëndimor dhe nga rruga e integrimeve euro-atlantike, në miqësi të përhershme dhe raporte strategjike me SHBA-të. Kjo gjendje alarmante kërkon reagim të menjëhershëm dhe veprim të guximshëm politik.
Kosova ka nevojë urgjente për rikthim të besimit, stabilitetit dhe vizionit shtetformues. Ka nevojë të rikthehet si partnere e denjë dhe e besueshme e botës demokratike, me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleatin tonë jetik dhe historik.
Lidhja Demokratike e Kosovës, që nga themelimi i saj si forcë politike nacional-demokratike, e udhëhequr nga arkitekti i pavarësisë së Kosovës, Presidenti Historik Ibrahim Rugova, ishte fryma politike dhe kombëtare që e orientoi Kosovën drejt lirisë, demokracisë dhe integrimit euro-atlantik. Trinomi “Liri, Pavarësi, Demokraci” u bë themeli i rezistencës sonë kombëtare gjatë viteve të ’90-ta dhe, bashkë me luftën çlirimtare të UÇK-së dhe ndërhyrjen vendimtare të NATO-s, me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës, solli çlirimin përfundimtar të Kosovës nga Serbia.
LDK-ja ishte aty në çdo etapë të rëndësishme të shtetndërtimit. Ajo ishte zëri i arsyes, i orientimit perëndimor dhe i përgjegjësisë shtetërore. Pa LDK-në, Republika e Kosovës nuk do të ishte sot kjo që është, me institucionet e saj. Por sot duhet ta themi hapur dhe pa hezitim: pa një LDK të fortë, të bashkuar dhe fituese, Kosova nuk mund të ketë të ardhme të sigurt.
Fatkeqësisht, ashtu si Kosova, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës po kalon njërën nga periudhat më të vështira në historinë e saj. Pas humbjeve të njëpasnjëshme, LDK-ja po rrëshqet drejt margjinalizimit politik, duke e betonuar veten në pozitën e tretë dhe duke u shndërruar në një parti pa peshën e duhur politike dhe shtetndërtuese. Ky është një realitet i papranueshëm për partinë e Ibrahim Rugovës dhe një dëm i madh për vetë shtetin e Kosovës.
Prandaj, kjo situatë kërkon reflektim të thellë, përgjegjësi politike dhe vendime të guximshme.
Në këtë moment, askush nuk duhet ta përjashtojë veten nga përgjegjësia. Të gjithë duhet të jemi të gatshëm të japim llogari para anëtarësisë dhe qytetarëve: kryetari, kryesia, degët dhe nëndegët. Megjithatë, adresa kryesore e humbjes së tri palë zgjedhjeve të fundit dihet qartë dhe saktë.
Prandaj, në këtë situatë kërkohen kurajë, veprim dhe guxim për ta rikthyer fuqinë dhe peshën e LDK-së.
