Zëvendëskryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, i cilësoi të turpshme dhe hipokrite siç i ka quajtur ai “sulmet” ndaj ministres së Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, duke theksuar se ata që e akuzojnë atë “për nxitje të pretenduar të spastrimit etnik, prej vitesh heshtin për spastrimin etnik të serbëve nga Kosova”.
Kështu u tha në një njoftim të kabinetit të tij, siç shkruan N1.
“Dua të them se është e turpshme që deri më sot nuk kam dëgjuar asnjë politikan vendor të dënojë spastrimin etnik të serbëve nga Kosova. Në rrethana kur edhe sot kemi shpërngulje të detyruar të serbëve nga Kosova, ndryshim të strukturës etnike, pa folur për presionet, shpërnguljet dhe dëbimet shekullore të serbëve nga Kosova, në Serbi ende flitet dhe ne akuzohemi për gjoja spastrim etnik në Kosovë”, tha Daçiq, duke theksuar se po reagon në cilësinë e zëvendëskryeministrit.
Ai deklaroi se “240 mijë serbë u dëbuan nga Kosova në vitin 1999”, ndërsa, sipas tij, janë kthyer më pak se 10 mijë.
“Për këtë nuk flet më askush, kjo qenka bërë normale. Pra, qenka normale që njerëzit të dëbohen nga territori që dikur ishte zemra e Serbisë. Nëse Beteja e Kosovës, beteja kryesore mes Serbisë dhe Perandorisë Osmane, u zhvillua pikërisht në Kosovë, si mund të thuhet se Kosova nuk ishte Serbi? Nëse katër monumentet më të rëndësishme – Patriarkana e Pejës, Deçani, Graçanica dhe Kisha e Shën Premtes (Bogorodica Ljeviška) – janë trashëgimi botërore e UNESCO-s nga shekujt XII, XIII dhe XIV, ndërsa nuk ekziston asnjë monument shqiptar nga ajo periudhë”, tha Daçiq.
Më pas Daçiq pretendoi se “veçanërisht pas Luftës së Dytë Botërore, pati vendosje masive të shqiptarëve nga Shqipëria, gjë që ndryshoi strukturën etnike të Kosovës”.
“Pse askush nuk e përmend se në Prishtinë në vitin 1991 kishte 40 deri në 50 mijë serbë? Ku janë ata sot? Sot janë rreth 400. Unë kam lindur në Prizren, ku në vitin 1991 jetonin 10 mijë serbë, ndërsa sot kanë mbetur rreth njëzet”, tha ai.
