Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë pritet të nis seanca gjyqësore në rastin e barrikadave të ngritura në veri të Kosovës në dhjetor të vitit 2022.
Në këtë rast akuzohen gjashtë persona, Dushan Maksimoviq, Milosh Radosavljeviq, Nemanja Joloviq, Dushan Drobaq, Srdjan Vuçiniq dhe Nenad Orloviq.
Seanca fillestare, e paraparë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ishte shtyrë në korrik për shkak të mungesës së disa të akuzuarve dhe avokatëve të tyre.
Gjykatësi Rrahman Beqiri kishte konstatuar se nuk ishin plotësuar kushtet ligjore për zhvillimin e seancës.
Të akuzuarit ngarkohen me veprat penale “Bashkim për veprimtari kundërkushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës” dhe “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”.
Sipas aktakuzës, ata dyshohet se bllokuan rrugët kryesore në veri me mjete të rënda dhe penguan institucionet e Kosovës në ushtrimin e autoritetit shtetëror.