Në lagjen “Kodra e Minatorëve” në Mitrovicë është vënë gurthemeli i objektit të ri të shkollës fillore, projekt ky i financuar nga Qeveria e Kosovës përmes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, tha se ky është një ndër projektet më të rëndësishme për komunitetin lokal, që do të mundësojë kushte më të mira për arsimin fillor.
“Gjendemi këtu në inaugurimin e shkollës fillore në Kodrën e Minatorëve, projekt i Qeverisë Kurti dhe Ministrisë së Arsimit.
“Kjo është shkolla e dytë pas asaj në lagjen e Boshnjakëve që e inauguruam më 3 tetor. Projekti pritet të përfundojë brenda 15 muajve dhe do të ketë kapacitet për 350 nxënës. Falënderoj Qeverinë dhe Ministrinë për mbështetjen”, tha Atiq.
Në mungesë të ministres Arbërie Nagavci, në ceremoninë e inaugurimit mori pjesë zëvendësministri Muhedin Nushi, i cili theksoi rëndësinë e investimeve të vazhdueshme në infrastrukturën arsimore.
