Prokuroria e Qarkut në Split ka ngritur aktakuzë ndaj shtetasit kroat J.I., i lindur më 1971, dhe shtetases serbe A.M., e lindur më 1979, nën dyshimin për spiunazh.
Bëhet fjalë për një pilot ushtarak të Forcave Ajrore Kroate (HRZ) dhe partneren e tij prej shumë vitesh, për arrestimin e të cilëve ishte raportuar për herë të parë në gusht të vitit të kaluar, shkruan Index.hr
Sipas Prokurorisë, shtetasi kroat, gjatë shërbimit në Forcat e Armatosura të Kroacisë, nga shkurti deri në dhjetor të vitit 2022, në disa raste i ka vënë në dispozicion partneres së tij të dhëna të klasifikuara, të cilat i kishte marrë ose kishte pasur qasje gjatë kryerjes së detyrës.
Sipas aktakuzës, ai e dinte se partnerja e tij po i mblidhte këto të dhëna për një shtet të huaj, një person juridik të huaj dhe një person që punonte për ta.
Prokuroria e Qarkut në Split i ka propozuar Gjykatës së Qarkut vazhdimin e masave ndaj të akuzuarës së dytë, për shkak të rrezikut të arratisjes.
“Index” raportoi më 27 gusht të vitit të kaluar se, nën dyshimin për spiunazh, ishin arrestuar një pilot i Forcave Ajrore Kroate dhe partnerja e tij, shtetase e Serbisë nga Mitrovica e Veriut.
Procedura u zhvillua nga policia civile dhe ajo ushtarake, ndërsa në hetime ishte përfshirë edhe Europol.
Sipas informacioneve të publikuara atëherë nga “Index”, piloti kishte shërbyer edhe në KFOR në Kosovë, ndërsa hetuesit dyshonin se ai i kishte dhënë partneres informacione konfidenciale, të cilat ajo më pas i kishte përcjellë më tej.




