Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Dega në Lipjan, sot pritet të mbahet seanca dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë ndaj pesë zyrtarëve policorë të cilët gjenden nën masën e ndalimit si të dyshuar për “Vrasje nga pakujdesia” të të riut Agon Zejnullahu në Lipjan.
Avokati i familjes Zejnullahu, Asdren Hoxha, ka thënë mbrëmë se seanca do të mbahet në ora 10:30, në degën e Gjykatës në Lipjan.
Rasti që ndodhi në orët e para të 7 korrikut në Lipjan ka ngjallur reagime të shumta në vend dhe thirrje për transparencë, përgjegjësi institucionale dhe hetim të pavarur.
Policia tha se i ndjeri, i cili u identifikua më vonë si Agon Zejnullahu, dyshohet se ishte nën ndikimin e alkoolit dhe duke sulmuar automjete e kalimtarë, kur u ndalua nga autoritetet e rendit.
Lidhur me rastin, pesë zyrtarë policorë janë ndaluar për 48 orë nën dyshimin për “Vrasje nga pakujdesia”, ndërkaq Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e tyre.