Ndërsa afrohen zgjedhjet vendore të 12 tetorit, situata aktuale politike në vend, veçanërisht ngërçi institucional që zgjat prej më shumë se gjashtë muajsh dhe mungesa e konstituimit të Kuvendit, kanë ngritur dilema lidhur me përgatitjet për zgjedhje si dhe ndikimin që kjo krizë mund të ushtrojë mbi pjesëmarrjen e qytetarëve në votim.
Përgatitjet për zgjedhjet lokale, pa vonesa
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po zhvillon përgatitjet për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, pa vonesa.
Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili shton se pjesa më e madhe e aktiviteteve që lidhen me votuesit dhe subjektet politike janë përmbyllur.
”Në përfundim e sipër është shtypja e fletëvotimeve, ndërkaq KQZ është në pritje të aplikimit për akreditimin e vëzhguesve dhe regjistrimin e votuesve me nevoja të veçanta që do të votojnë përmes ekipeve mobile”.
Ndikimi i moskonstituimit të Kuvendit në pjesëmarrjen e votuesve në Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit
Megjithatë, situata e moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës, pra bllokada e institucioneve për më shumë se 6 muaj mund të ketë ndikim në pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhje.
Analisti politik, Arbnor Sadiku, parashikon një ulje të numrit të votuesve, duke theksuar se ky ngërç veç uljes së pjesëmarrjes, mund të motivojë disa qytetarë të shprehin pakënaqësinë e tyre përmes votës.
Sadiku thekson se, përkundër mundësisë për një bojkot, disa votues mund të mobilizohen dhe të shprehin pakënaqësinë e tyre ndaj politikës qendrore, duke e parë votën si një mundësi për të shprehur kritika dhe pritshmëri për nivelin lokal.
”Besoj, se numri votueseve do jetë më i ulët, kësaj radhe sesa herëve tjera. Para së gjithash duhet cekur se ngërçi politik mund të ulë pjesëmarrjen e qytetarëve, por gjithashtu mund të motivojë disa të shprehin pakënaqësinë përmes votës. Shumë votues të zhgënjyer mund të bojkotojnë, por të tjerët mund të mobilizohen. Vota lokale shpesh shihet në ketë kontekst si një mënyrë për të treguar pakënaqësi ndaj politikës qendrore, duke kombinuar kritika dhe pritshmëri për komunën”, tha Sadiku.
Sadiku shton se në rrethana objektive e pëson pushteti, por sipas tij, Kosova është vend tranzicional dhe mund të jetë ‘ose, ose’.
Ndërsa Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës vlerëson se situata e moskonstituimit të Kuvendit dhe dështimi për të formuar Qeverinë nuk mund të shihen si zhvillime të pavarura nga konteksti i zgjedhjeve lokale.
