Në ditën e Forcës, si çdo vit, u ekspozua armatimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës. Aty nuk munguan as pjesëtarët e forcës, që dallohen nga uniformat.
Por, kjo forcë që në çdo ngjarje të madhe i ekspozon kapacitetet e saj, rrënjët i kishte shumë ma herët.
28 vjet më parë doli në skenë haptazi Ushtria Çlirimtare e Kosovës, si nevojë e domosdoshme e popullit për ta mbrojtur nga pushtuesi serb.
Kjo ndodhi, më 28 nëntor 1997 gjatë ceremonisë së varrimit të arsimtarit Halit Geci nga Llausha e Skenderajt, të vrarë nga policia serbe, ku në tribunë u ngjitën të veshur me uniformën e UÇK-së luftëtarët dhe komandantët e ardhshëm Daut Haradinaj, Rexhep Selimi e Mujë Krasniqi.
Në periudhën shkurt-mars 98’, komandanti i përgjithshëm i UÇK-së, Adem Jashari, me njësitin e tij ushtarak, vuri nën kontrollin e UÇK-së territorin e Drenicës. Në atë kohë forca të shumta ushtarako-policore të armatosura me autoblinda e artileri të rendë sulmuan Drenicën.
Adem Jashari luftoi tri ditë e tri net nga kulla e tij, së bashku me gjithë familjen. Asnjë nga anëtarët e familjes dhe shumë nga farefisi nuk pranuan të largohen, por luftuan derisa ranë heroikisht 56 persona nga mosha 5 deri 74 vjeç.
Lufta e lavdishme e UÇK-së vazhdoi edhe për shumë kohë. Pak pas përfundimit të luftës ndodh një moment tjetër historikë, çmilitarizimi i UÇK-së. Aty djem e vajza që luftuan për çlirimin e vendit dorëzuan armët e tyre për t`i hapur rrugë një procesi tjetër.
UÇK-ja po transformohej në Trupat Mbrojtëse të Kosovës.
Ishte viti 1999 kur nisi çarmatimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për t’u shndërruar më vonë në Trupat Mbrojtëse të Kosovës.
Kjo e gjitha kishte nisur pas marrëveshjes së Kumanovës dhe në pajtim me marrëveshjen e Rambujesë.
Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK) ishin pjesë përbërëse e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës nën protektoratin e OKB-së, saktësisht Misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK-ut.
Sipas marrëveshjes, detyrat dhe të drejtat e TMK-së në atë kohë ishin veprimi për ndalimin dhe zvogëlimin dëmeve nga katastrofat natyrore dhe aksidentet, ofrimi i ndihmës në zona të rrezikuara, ndihma në pastrimin e fushave të minuara, ndihma për rindërtimin dhe komunitetet.
