Kalo te përmbajtja
Demos
Keni lajm?
  • Çka ka 3?
  • Lajme
  • Ndërkombëtare
  • Sport
  • Video
  • Magazine
  • Teknologji
  • Stil
  • Këndvështrime
Menyja
  • Ballina
  • Çka ka 3?
  • Lajme
  • Ndërkombëtare
  • Sport
  • Video
  • Magazine
  • Teknologji
  • Stil
  • Këndvështrime
Pamja
Demos

Gazeta Demos ngadalë por sigurt, po bëhet burim i besueshëm i informacionit, i hapur ndaj opinionit publik, duke i trajtuar të gjithë të barabartë. Gazeta Demos është shenjë identifikuese e fjalës së lirë, gjithnjë në frymën e demokracisë prej nga buron edhe emri i saj.

Rubrikat

VideoLajmeNdërkombëtareSportMagazineTeknologjiStilKëndvështrime

Demos

Rreth neshPolitika editorialeKontaktPrivatësiaKeni lajm?
Gazeta Demos SH.P.KRr. “Uran Ajeti”, 68, Prishtinëinfo@gazetademos.commarketing@gazetademos.comTel: +383 48 579 555
© 2026 Demos. Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Lajme

Nga numrat te ndikimi: gratë në qendër të agjendës së re për paqen dhe sigurinë

GD
Gazeta Demos1 tetor 2026 në 21:22
Nga numrat te ndikimi: gratë në qendër të agjendës së re për paqen dhe sigurinë

Fuqizimi i grave, ndikimi i tyre real në vendimmarrje dhe roli në ndërtimin e paqes e transformimin e institucioneve janë vendosur në qendër të konferencës ndërkombëtare “Partneritet për Ndryshim: Gratë që Transformojnë Sistemet – Avancimi i Parimeve të Prishtinës 2026–2035”, e cila ka nisur të mërkurën në Prishtinë dhe do të zgjasë deri më 3 tetor.

E organizuar nga Fondacioni Jahjaga, konferenca mbledh liderë, diplomatë, politikëbërës dhe ekspertë ndërkombëtarë, 14 vjet pas miratimit të Parimeve të Prishtinës, për të hapur një kapitull të ri të kësaj agjende për periudhën 2026–2035.

Themeluesja e Fondacionit Jahjaga, Atifete Jahjaga, tha se fokusi nuk duhet të mbetet vetëm te numri i grave të përfaqësuara në institucione, por te ndikimi që ato kanë në vendimmarrje.

“Nuk mjafton më të numërojmë se sa gra janë të përfaqësuara, por duhet të pyesim sa gra kanë ndikim real. Nuk mjafton pjesëmarrja formale dhe barazia në minimumet e standardeve ligjore, sepse gratë duhet ta bëjnë barazinë realitet, në jetë; duhet të formësojnë politika, institucione dhe të projektojnë të ardhmen e gjeneratës sonë”, tha Jahjaga.

Ajo e përkufizoi këtë si hapin e ardhshëm të Parimeve të Prishtinës: “nga numrat tek përmbajtja, nga përfaqësimi tek ndikimi dhe nga pjesëmarrja tek fuqizimi për të transformuar sistemet.”

Në hapje foli edhe ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës dhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila vuri theksin te roli i grave në sektorin e sigurisë dhe te mundësitë e barabarta për avancim.

“Nuk duhet të pyesim më nëse gratë janë të afta për të shërbyer apo për të udhëhequr. Përgjigjen e kemi prej vitesh, sepse gratë janë pjesë e policisë, janë pjesë e ushtrisë, janë pjesë e shërbimit korrektues dhe institucioneve të tjera të sigurisë”, tha Haxhiu.

Sipas saj, çështja tashmë është nëse grave po u krijohen mundësi të barabarta për të avancuar dhe për të marrë përgjegjësi më të mëdha.

Duke iu referuar agjendës “Gratë, Paqja dhe Siguria” dhe Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Haxhiu tha se këto parime duhet të përkthehen në praktikë.

“Përgjegjësia jonë është që ky parim të mos mbetet vetëm në dokumente, por të reflektohet në institucione, por po ashtu edhe në vendimmarrjen tonë”, tha ajo.

Pjesë e konferencës ishte edhe ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Rodham Clinton, e cila përmes një video-mesazhi rikujtoi pjesëmarrjen e saj në konferencën e vitit 2012 dhe vazhdimin e kësaj agjende nga Fondacioni Jahjaga.

“Kur gratë kanë një vend në tryezë, komunitetet janë më të forta, paqja është më e qëndrueshme dhe shoqëritë janë më gjithëpërfshirëse”, tha Clinton.

Në mënyrë virtuale iu drejtua konferencës edhe Pramila Patten, nënsekretare e përgjithshme e OKB-së dhe përfaqësuese speciale për dhunën seksuale në konflikte. Ajo theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, organizatave të grave, rrjeteve të të mbijetuarave dhe shoqërisë civile.

Patten tha se gratë duhet të jenë “arkitekte të vërteta të proceseve të paqes dhe sigurisë”.

Mbështetjen e Luksemburgut për agjendën “Gratë, Paqja dhe Siguria” dhe punën e Fondacionit Jahjaga e riafirmoi Eric Dietz, shef i misionit të Ambasadës së Dukatit të Madh të Luksemburgut.

“Parimet e Prishtinës janë të ndërtuara mbi një ide të thjeshtë, por të fuqishme: paqja e qëndrueshme kërkon pjesëmarrjen kuptimplotë të grave. Katërmbëdhjetë vjet më pas, ky mesazh mbetet po aq relevant sa kurrë më parë”, tha Dietz.

Çmimi për Arritje Jetësore

Në kuadër të ceremonisë u nda edhe Çmimi për Arritje Jetësore në fushën “Gratë, Paqja dhe Siguria”.

Me këtë çmim u nderuan Prof. Dr. Justina Shiroka-Pula, ambasadorja Dr. Vjosa Dobruna, Yuriko Backes, ministre e Mbrojtjes, Mobilitetit dhe Punëve Publike, si dhe e Barazisë Gjinore dhe Diversitetit, Sonja Biserko, presidente e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, dhe ambasadorja Melanne Verveer.

Verveer, e cila është drejtoreshë ekzekutive e Institutit Georgetown për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, përmes një video-mesazhi vlerësoi rolin e grave të Kosovës në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes dhe rikujtoi rëndësinë e Parimeve të Prishtinës.

Në konferencë u bë i ditur edhe krijimi i një fondi të ri për fuqizimin e grave në arsim, teknologji dhe inteligjencë artificiale. Modelja shqiptaro-amerikane, filantropja dhe diplomatja Emina Çunmulaj njoftoi se do të kontribuojë me 10 mijë dollarë si fond fillestar.

“Ky është vetëm fillimi – më shumë zero do të vijnë”, tha Çunmulaj.

“Trauma nuk ka afat”

Në darkën e organizuar për pjesëmarrësit e konferencës, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, vlerësoi guximin e Vasfije Krasniqit për të folur publikisht për përvojën e saj si e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Rama tha se zëri i Krasniqit ka ndihmuar të mbijetuarat e tjera të gjejnë zërin e tyre dhe u bëri thirrje institucioneve që të marrin përgjegjësinë për garantimin e dinjitetit, kujdesit dhe drejtësisë për të mbijetuarat.

Krasniqi tha se “trauma nuk ka afat”, duke kërkuar vazhdimin e përpjekjeve për drejtësi dhe llogaridhënie.

Ajo theksoi se zëri i saj nuk lidhet vetëm me rastin personal, por me të gjitha të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë që vazhdojnë të kërkojnë drejtësi.

Konferenca “Partneritet për Ndryshim: Gratë që Transformojnë Sistemet – Avancimi i Parimeve të Prishtinës 2026–2035” po zhvillohet në Prishtinë nga 1 deri më 3 tetor.

Ajo mbështetet nga projekti “Mbështetje për shoqërinë civile në Kosovë”, i financuar nga Dukati i Madh i Luksemburgut dhe i zbatuar nga LuxDev, Agjencia e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor.

ndikimigratënumrat

Më shumë nga Lajme

  • 22:36Mirena për protestën: Kjo masë e njerëzve nuk kanë dalë me ngu kangë – duhet ultimatume
  • 22:17Nagavci: Me zgjedhjen e presidentit, mund të adresojmë strategjinë ndaj Hagës
  • 22:12Behrami: Albin Kurti e të tjerët po e pranojnë që UÇK-ja gjoja ka kryer krime lufte
  • 22:10Kosova dënon sulmin në avionin “FlyDubai” që ishte nisur drejt Tel Avivit
  • 22:03Dy javë protesta kundër aktgjykimit të Speciales: Kush, çka po kërkon?