Marrëveshjet e ekstradimit u nënshkruan për të parandaluar keqpërdorimin e shtetësisë së dyfishtë dhe praktikën e arratisjes në vendet fqinje, me qëllim shmangien nga drejtësia.
Por, në praktikë, shpesh nuk funksionojnë.
Edhe pse shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë marrëveshje dypalëshe për ekstradimin, ish-presidenti i dikurshëm i Serbisë dhe Malit të Zi është një nga shumë personat që, duke shfrytëzuar kufijtë e depërtueshëm dhe shtetësinë e dyfishtë, kanë arritur t’i shmangen vuajtjes së dënimit ose gjykimit në vendet e tyre, raporton Radio Evropa e Lirë.
Ish-presidenti i Unionit Shtetëror të Serbisë dhe Malit të Zi, Svetozar Maroviq, është njeri i lirë që nga 10 tetori, pasi dënimi që i ishte shqiptuar në Mal të Zi për korrupsion, është parashkruar.
Ai u arratis në Serbi pas shpalljes së vendimit gjyqësor në vitin 2016.
Deri në parashkrimin e dënimit, Beogradi refuzoi ta ekstradonte, ndonëse me Podgoricën ka marrëveshje për ekstradimin e ndërsjellë të shtetasve të akuzuar për krim të organizuar, korrupsion dhe vepra të tjera të rënda penale.
Profesoresha e pensionuar e së Drejtës nga Beogradi, Vesna Rakiq Vodineliq, thotë për Radion Evropa e Lirë se lidhjet politike kanë ndikim të madh në vendimet për refuzimin e kërkesave të shteteve fqinje për ekstradim.
Sipas saj, Maroviq është dashur të ekstradohej.
Përveç personave që i janë shmangur drejtësisë së vendeve fqinje, në Ballkanin Perëndimor kanë gjetur strehim edhe të akuzuar dhe të dënuar nga vende të ndryshme të botës - nga Rumania deri në Tajlandë.
Kriminelë të dënuar të luftës dhe “azilantë politikë” në Serbi
Marrëveshjet dypalëshe, të cilat vendet e Ballkanit Perëndimor nisën t’i nënshkruanin kryesisht nga viti 2010, mundësojnë ekstradimin e shtetasve të tyre, sipas kushteve të caktuara që lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Megjithatë, ato nuk zbatohen për veprat penale të kryera para nënshkrimit të marrëveshjeve, ndërsa në rastin e Serbisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës, as për krimet e luftës.
Pavarësisht fletarrestimit ndërkombëtar, Novak Gjukiq, ish-gjeneral i Ushtrisë së Republikës Sërpska, i cili u arratis në Serbi në vitin 2014, pak para shpalljes së vendimit gjyqësor në Bosnje dhe Hercegovinë, vazhdon të jetojë i lirë në Beograd.
Ai u dënua në Sarajevë me 20 vjet burgim për krime lufte, përkatësisht për vrasjen e 71 civilëve në zonën e njohur si Kapija, në Tuzllë.
Beogradi refuzon ta ekstradojë, pasi Gjukiq ka edhe shtetësi serbe, ndërsa Serbia nuk i ekstradon shtetasit e saj.
Shtetësi të dyfishtë kanë edhe ish-pjesëtarët e Ushtrisë dhe Policisë së Republikës Sërpska, Tomisllav Kovaç, Mirko Vruçiniq dhe Dushko Kornjaça.
Ata janë vetëm disa nga personat që kërkohen nga drejtësia e Bosnje dhe Hercegovinës për krime lufte, por jetojnë të lirë në Serbi.
Tre vjet pasi mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, edhe Millan Radoiçiq vazhdon të jetë i lirë në Serbi.
Megjithëse Kosova ka lëshuar pesë fletarrestime ndaj tij gjatë viteve të fundit, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe e kanë sanksionuar për lidhje me krimin ndërkombëtar, më 9 tetor, ai ka marrë pjesë në një tubim zgjedhor të partisë në pushtet të Aleksandar Vuçiqit.
Përveç Radoiçiqit, në Serbi jetojnë të lirë edhe persona të tjerë ndaj të cilëve drejtësia e Kosovës ka ngritur aktakuza për vepra të ndryshme penale, përfshirë krime lufte.
Disa prej tyre janë aktivë në jetën publike - shkruajnë dhe promovojnë libra, merren me politikë dhe paraqiten në media.
Edhe pse Prishtina ka lëshuar fletarrestime ndaj tyre, Serbia refuzon t’i ekstradojë, prandaj shumica gjykohen në mungesë në Kosovë.
Beogradi nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe nuk ka marrëveshje ekstradimi me të.
Për bashkëpunimin mes dy vendeve është përgjegjës Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).
Gjatë dekadës së fundit, shtetësi, azil apo forma të tjera mbrojtjeje në Serbi kanë marrë edhe shtetas të Rumanisë, Bullgarisë, Tajlandës dhe vendeve të tjera, të kërkuar nga autoritetet gjyqësore të shteteve të tyre.
Njëri prej tyre është biznesmeni bullgar, Cvetan Vasilev, i akuzuar në vendin e tij për përfshirje në 144 raste të përvetësimit të parave.
Ai u arratis në Serbi në vitin 2014, ndërsa shtatë vjet më vonë fitoi azil politik.
Azil politik mori edhe biznesmeni dhe ish-deputeti rumun, Sebastian Gica, i cili u arratis në Serbi në vitin 2016, pasi ndaj tij nisën disa hetime - ndër të tjera për dyshime për korrupsion.
Autoritetet serbe e arsyetuan dhënien e azilit me mundësinë që ai të përndiqej për shkak të bindjeve të tij politike.
Në vitin 2019, Qeveria e Serbisë i dha shtetësinë edhe ish-kryeministres së Tajlandës, Jingluk Shinavatra, e dënuar në vendin e saj me pesë vjet burgim për korrupsion.
“Bëhet fjalë për njerëz të pasur, prandaj më duket se korrupsioni ka luajtur rol në vendimet për ekstradimin e shtetasve të këtyre vendeve”, thotë Rakiq Vodineliq.
Shtetasi kinez, Cui Guanghai - ekstradimin e të cilit e kërkojnë Shtetet e Bashkuara nën akuzat për spiunazh dhe kontrabandë të teknologjisë ushtarake - u zhduk nga arresti shtëpiak në Beograd në vitin 2025, pasi ishte arrestuar në bazë të një fletarrestimi ndërkombëtar të lëshuar me kërkesë të SHBA-së.
Drejtori i Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), Kash Patel, deklaroi atëkohë para Kongresit amerikan se Serbia po i kthente shtetasit e akuzuar kinezë në Kinë, në vend që t’i ekstradonte në Shtetet e Bashkuara.
Në vitin 2022, në Serbi u arrestua edhe ish-zyrtari i inteligjencës ukrainase, Andrij Naumov.
Beogradi refuzoi kërkesën e Ukrainës për ekstradimin e tij, lidhur me një hetim për shpërdorim të pozitës zyrtare.




