Një hetim rreth dyvjeçar i autoriteteve të Kosovës çoi fillimisht në arrestimin e dy personave të dyshuar për krime lufte, dhe më pas në gërmime në një lokacion në Zubin Potok, ku dyshohej se ndodhej një varrezë masive. Brenda pak ditësh, u zbuluan mbetje mortore me origjinë njerëzore, u arrestua edhe një i dyshuar tjetër për krime lufte, u identifikua një lokacion i dytë ku dyshohet se mund të ketë mbetje mortore, ndërsa në Serbi u arrestua një shtetas i Kosovës nën dyshimin për spiunazh.
Në Kalludër të Vogël, fshat malor i komunës veriore të Zubin Potokut, në Kosovë, më 28 korrik nisën gërmime nën dyshimet për një varrezë masive.
Këto gërmime, sipas autoriteteve, filluan pas një hetimi rreth dyvjeçar të Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Disa ditë para nisjes së gërmimeve, u arrestuan dy persona të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile. Rasti i tyre, sipas Prokurorisë, lidhet me këto gërmime.
Ndonëse nuk janë bërë publike detaje të sakta se për çfarë dyshohen këta dy të arrestuar, për njërin prej tyre Policia tha se ka gjetur prova se ai kishte qenë “i mobilizuar dhe pjesë aktive gjatë periudhës së luftës në ish-armatën jugosllave”.
Dy të dyshuarit, M.J. dhe M.B., momentalisht gjenden në paraburgim.
Më 2 gusht, Policia e Kosovës arrestoi edhe një person tjetër në lidhje me të njëjtin rast.
Prokuroria Speciale tha se arrestimi i J.R. është rezultat i veprimeve të mëtejshme hetimore, por nuk dha hollësi për rolin e tij të dyshuar.
Avokati i të pandehurit M.B., Dejan Vasiq, tha për Radion Evropa e Lirë se klienti i tij dyshohet se ka qenë në mesin e personave që kanë varrosur viktimat e ngjarjeve të përmendura, në kërkesën për caktimin e paraburgimit.
“Ai është i bindur se nuk ka asnjë lidhje me këtë ngjarje, pasi nuk ka qenë fare në vendin që përmend prokurori”, tha Vasiq.
Millosh Deleviq, avokat i të pandehurit tjetër M.J., nuk deshi të tregonte hollësi se për çfarë dyshohet konkretisht klienti i tij, duke thënë vetëm se vepra penale është cilësuar si krim lufte kundër popullsisë civile.
Çfarë dihet për varrezën masive në Kalludër të Vogël?
Teksa gërmimet vazhdonin, autoritetet konfirmuan se mbetjet e gjetura në Kalludër të Vogël janë me origjinë njerëzore.
Por, që nga fillimi i gërmimeve, u ngritën dyshime se mbetjet mortore në këtë lokacion – që është ende duke u gërmuar – mund t’i takojnë një grupi të caktuar të shqiptarëve të zhdukur me forcë nga lufta e fundit.
Ky grup civil, i njohur si “grupi i intelektualëve”, është i zhdukur që nga 19 prilli i vitit 1999. Në mesin e tyre kishte mjekë, profesorë, avokatë dhe profile të tjera. Dyshimet për varrezë masive ngjallin shpresën për “grupin e intelektualëve të Mitrovicës”
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, më 29 korrik u tha mediave se ekziston dyshimi fillestar se mbetjet mund t’u përkasin këtij grupi.
“Ne nuk mund të konfirmojmë se bëhet fjalë për ta, por ky ka qenë dyshimi ynë i menjëhershëm. Sidoqoftë, duhet t’i presim organet tona të na tregojnë se për çfarë bëhet fjalë atje”, tha Kurti.
Procesi i identifikimit tashmë është në duart e Institutit të Mjekësisë Ligjore, ndërsa autoritetet kanë theksuar se vetëm analizat forenzike dhe të ADN-së do të përcaktojnë identitetin e viktimave.
