Për të dytën herë brenda një viti, qytetarët e Kosovës me të drejtë vote do t’i drejtohen sërish kutive të votimit. Kësaj radhe, 2 milionë e 25 mijë e 105 votues, do të votojnë për të zgjedhur kryetarët në 38 komuna të vendit dhe anëtarët e 38 kuvendeve komunale.
Kur kanë mbetur më pak se 24 orë nga hapja e vendvotimeve, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi ka treguar për KosovaPress, se aktivitetet e orëve të fundit që janë duke u realizuar dhe masat që janë ndërmarrë në mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor.
“Gjatë kësaj periudhe përgatitore katërmujore, KQZ ka përgatitur procesin zgjedhor sipas përgjegjësive që dalin nga Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, Ligji për Zgjedhjet Lokale. Në fazën e fundit përgatitore do të bëhet shpërndarja e materialit zgjedhor, përfshirë fletëvotimet, të cilat fillimisht do të dërgohen në Qendrat Komunale të Numërimit, që janë të vendosura në çdo komunë dhe nga aty, të dielën në mëngjes, ky material do të shpërndahet në Qendra të Votimit”, tha Elezi.
Përveç KQZ-së, në ditën e zgjedhjeve dhe për të garantuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pritet të angazhohen edhe institucionet e ndryshme, siç janë Policia e Kosovës, Prokuroria e Shtetit, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Komisioni i Pavarur i Mediave.
Elezi ka përmendur se një nga masat e drejtpërdrejta që është ndërmarrë nga KQZ për ruajtje të integritetit zgjedhor, është vendosja e kamerave regjistruese në çdo vendvotim.
“Si masë e drejtpërdrejtë e cila është ndërmarrë nga KQZ, është vendosja e kamerave regjistruese në çdo vendvotim, në 38 Qendrat Komunale të Numërimit dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Vendosja e kamerave regjistruese bëhet me qëllim të garantimit të sigurisë së materialeve zgjedhore dhe ruajtjes së integritetit zgjedhor të procesit të votimit dhe numërimit të fletëvotimeve”, tha Elezi.
I pyetur se çfarë ka ndërmarrë KQZ që të mos përsëriten problemet e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit me transmetimin e rezultateve, në KQZ bën të ditur se është zhvilluar një softuer i ri për rezultate preliminare nga vendvotimet, rezultate nga Qendrat Komunale të Numërimit dhe nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve.
