Kosova nga mesnata e së dielës ka hyrë në bllokadë Kushtetuese. Pas 54 tentativave, deputetët e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit nuk arritën që ta konstituojnë legjislaturën e nëntë të Kuvendit të Kosovës, përkundër e Gjykata Kushtetuese u kishte caktuar atyre së fundi 30 ditë afat.
Tashmë të zgjedhurit e popullit, me njoftimin e së premtes të Gjykatës Kushtetuese, deri më 8 gusht 2025 nuk kanë të drejtë të ndërmarrin ndonjë veprim pas shterjes së 30 ditëshit.
Përderisa vendi është në pritje të një vendimi të ri të Gjykatës Kushtetuese, për rastin e iniciuar nga PDK e LDK, po vazhdojnë aludimet mbi “pasojat” që mund të sjellë Kushtetuesja për bllokadën e krijuar, që do të çonte në dalje nga kriza institucionale tash e disa mujore.
Nga njohës të çështjeve kushtetuese, është aluduar se një vendim i mundshëm i Gjykatës, pos çuarjes së vendit në zgjedhje të reja, mund të jetë edhe marrja e mandati të deputetëve të certifikuar nga KQZ dhe zëvendësimi i tyre me emrat pasues në listat e partive politike që garuan në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Nëse një vendim i tillë i supozuar mund të vinte pas 8 gushtit, një ndryshim që do të mund të krijonte situatë të re politike do të sillte përbërja e re e Grupi Parlamentar AAK-NISMA. Kjo pasi partia e Fatmir Limajt nga 3 deputetë aktual sa ka tash, do të tkurrej në dy, shkruan gazeta online Reporteri.net.