Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka bërë të ditur se procesi i numërimit të votave në Qendrat Komunale të Numërimit po vazhdon me intensitet dhe se deri më tani janë procesuara mbi 74 për qind e vendvotimeve në nivel vendi.
Në një konferencë për media ai tregoi se aktivitetet e numërimit janë përmbyllur në 27 komuna dhe përmendi komunat.
“Njoftojmë se deri më sot, aktivitetet e numërimit janë përmbyllur në 27 komuna, përkatësisht në Mamushë, Shtërpcë, Junik, Hani i Elezit, Kllokot, Partesh, Mitrovicë e Veriut, Novobërdë, Zveçan, Viti, Zubin Potok, Ranillug, Dragash, Istog, Obiliq, Gllogoc, Deçan, Shtime, Klinë, Kamenicë, Fushë Kosovë, Leposaviq, Graçanicë, Vushtrri, Rahovec, Skënderaj dhe Kaçanik,” tha Elezi.
Ai theksoi se procesi i numërimit do të vazhdojë pas ndërprerjes së përkohshme, duke sqaruar se numërimi do të rifillojë më 1 janar 2026, nga ora 16:00, në 11 Qendra Komunale të Numërimit.
“Procesi i numërimit do të vazhdojë të martën, më 1 janar 2026, në orën 16:00, në QKN-të e komunave: Prishtinë, Pejë, Prizren, Podujevë, Mitrovicë e Jugut, Gjakovë, Malishevë, Lipjan, Gjilan, Ferizaj dhe Suharekë,” deklaroi ai.
Elezi theksoi se deri të mërkurën, më 31 dhjetor 2025, në orën 12:00, janë procesuar mbi 1,900 vendvotime nga gjithsej 2,557.
“Deri më tani, numri i përgjithshëm i vendvotimeve të procesuara nga të gjitha Qendrat Komunale të Numërimit është mbi 1,900 nga 2,557 vendvotime, apo më shumë se 74 për qind. Pas përfundimit të numërimit të çdo vendvotimi, të dhënat transmetohen në platformën e KQZ-së për rezultate,” u shpreh ai.
