Prishtina është bërë pjesë e muajit të ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka theksuar se me këtë qëllim, do të ketë mamografi falas gjatë gjithë tetorit në kryeqytet. “Tetori është rozë. Edhe Prishtina. Mamografia falas, gjatë gjithë tetorit në Prishtinë. E ti që je duke kaluar këtë sfidë, DO T’IA DALËSH!”, ka shkruar Rama. E në një video të publikuar në faqen e tij në Facebook, i pari i kryeqytetit ka thënë se kontrollet e hershme, shpëtojnë jetë. Si rezultat, ai shtoi se bashkë po ndërtojnë një Prishtinë më të sigurt për të gjithë. “Shëndeti i grave është përparësi e komunës së Prishtinës. Përkushtimi ynë për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit është më i madh se kurrë. Në qendrat e Mjekësisë Familjare në Prishtinë, ofrojmë kontrolla mamografie falas për të gjitha gratë. Sepse kontrolli i hershëm shpëton jetë. Një vizitë sot, mund të bëjë diferencën për të ardhmen. Bashkë kujdesemi për shëndetin, bashkë ndërtojmë një Prishtinë më të sigurt për të gjithë”, thuhet në videon e publikuar nga Rama.
Lajme
Në Prishtinë ofrohen kontrolla mamografie falas, Rama: Ti që je duke e kaluar këtë sfidë, do t’ia dalësh
