Sot u mbyllën dyert për vizitë te familja e Sylë Dakajt, i cili mbeti i vrarë me 18 nëntor nga I dyshuari Rrahman Hoti, në një parking të një qendre tregtare në qytetin e Suharekës.
Djali i viktimës Arianit Dakaj, në një intervistë ekskluzive për gazetaren e Klan Kosova, Qëndresa Tërshani, ka rrëfyer detajet nga ngjarja tragjike.
“Për parking ka ndodh rasti, edhe nuk është që kem pas problem ma heret me to. N’prezencë t’motrës vogël kanë ndodh krejt këto sene. Motrën e vogël hala me psikiatra e kem, hala nuk është mirë.
Po besoj në drejtësi. Ai nashta ka lidhje të fortë. Dikush ia ka dhënë atë guxim. Po ju boj lutje shtetit tonë, mos i pajisni me armë, munet me pasë pasoja të rënda."
Gazetarja Tërshani tregon se rrëfimi i bashkëshortes së viktimës do të transmetohet sot në lajmet qendrore të Klan Kosova, ndërsa tregon se ajo ka dhënë detaje lidhur me ngjarjen prapa kamerave, duke treguar se i dyshuari gjatë gjithë kohës bënte presion për parkingun.
“Siç thotë dëshmitarja, pra nëna e Arianitit, vazhdimisht ka bërë të njëjtin gjest, derisa i ndjeri i ka thënë se do të lajmërojë policinë për këtë rast, dhe aty ka agravuar situata, duke e marrë menjëherë armën personi i dyshuar dhe duke shtënë në drejtim të Sylë Dakaj”, tregon gazetarja Tërrshani.

