Një sasi barnash dhe suplementesh të padeklaruara është ndaluar nga zyrtarët doganorë në Pikëkalimin Kufitar në Vërmicë.
Sipas njoftimit të Doganës së Kosovës, mbrëmë gjatë një kontrolli rutinë, zyrtarët ndaluan një automjet në të cilin u zbuluan barnat dhe suplementet e fshehura në bagazhin e automjetit.
“Vlera e përgjithshme e mallrave të ndaluara arrin shumën mbi 1,600 euro”, thuhet në njoftim.
Në bazë të legjislacionit në fuqi, ndaj personit përgjegjës është iniciuar procedurë për kundërvajtje doganore, ndërsa mallrat janë ndaluar deri në përfundimin e procedurave përkatëse.
Dogana e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë detyrimet ligjore gjatë kalimit kufitar.
“Rikujtojmë të gjithë qytetarët dhe udhëtarët se çdo mall që bartet përtej kufirit duhet të deklarohet, dhe mosdeklarimi i tyre përbën shkelje ligjore”, thuhet në fund të njoftimit.